Bruksel, 10 tetor 2023 – Komisioni Evropian tha të hënën vonë se ndihmat humanitare për palestinezët nuk do të pezullohen, duke e hedhur poshtë një deklaratë paraprake të njërit prej zyrtarëve të vet të lartë.
Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha të hënën gjatë ditës se pas sulmit të grupit militant Hamas ndaj Izraelit të shtunën “të gjitha pagesat [për palestinezët] do të pezullohen menjëherë. Të gjitha projektet janë nën shqyrtim. Të gjitha propozimet e reja buxhetore, përfshirë edhe ato për vitin 2023 janë shtyrë deri në një njoftim të ri”.
Në një reagim më vonë, Komisioni Evropian e kundërshtoi zyrtarin e vet Varhelyi, duke thënë se “nuk do të ketë pezullim të pagesave”. Komisioni nuk dha shpjegim për këtë rrëmujë.
Që nga e shtuna, përkrahja e 27 vendeve të BE-së për Izraelin ka qenë e madhe, të cilat kanë thënë se vendi ka çdo të drejtë brenda ligjit ndërkombëtar të mbrojë veten në luftë me Hamasin.
Ndërkohë, Spanja e ka kundërshtuar ndaljen e ndihmave për palestinezët, me ministrin e Jashtëm në detyrë të saj, Jose Manuel Albares, që tha të martën se “ky bashkëpunim duhet të vazhdojë patjetër, sepse nuk mund ta përziejmë Hamasin, të cilin BE-ja e ka në listën e grupeve terroriste, me popullin palestinez, apo autoritetin palestinez, apo organizatat e Kombeve të Bashkuara në terren”.
Ai tha për radion spanjolle Cadena SER se territoret palestineze me gjasë do të kenë nevojë për më shumë ndihma në të ardhmen e afërt, pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit të shtunën dhe bombardimeve hakmarrëse izraelite ndaj Rripit të Gazës si pasojë.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen sot për të biseduar për këtë çështje.
Të hënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.
Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt.
Izraeli i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.
Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë.
(REL)