BE-ja i dënon përpjekjet për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë në Shqipëri

Tiranë, 12 shkurt 2025 – Bashkimi Evropian ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) në Shqipëri, e cila u vu në shnjestër të Kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian ka thënë se roli i SPAK-ut në Shqipëri ka rëndësi kyçe dhe se reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit janë elemente kyçe të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja nuk mund t’i komentojë proceset gjyqësore që janë në proces e sipër, por ka theksuar se përpjekjet për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë janë të papranueshme.

“Roli specifik i SPAK-ut, si edhe pavarësia e tij në hetimin dhe procedimin e rasteve të korupsionit në nivel të lartë, të lirë nga çdo përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të panevojshëm, është me rëndësi kyçe për sundimin e ligjit në Shqipëri”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Komiszionit Evropian ka thënë se reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë”, ka thënë ai.

Erion Veliaj u arrestua të hënën me akuzat për korrupsion. Ai akuzohet se u kishte dhënë bizneseve të lidhura me të dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, të paktën 1.1 milion euro prej fondeve publike

Kryeministri Rama tha SPAK nuk ka prova për akuzat e ngritura ndaj Veliajt, ndërsa dosjen e prokurorisë e cilësoi si “një roman prej 400 faqesh, me shumë personazhe, por pa fakte”.

Sipas tij, prokurorët e SPAK-ut i kanë shkelur “standardet” gjatë hetimeve dhe gjatë marrjes në pyetje të personave të përfshirë në dosjen “Veliaj”.

(r.m.)

Comment

*