BE-ja i quan “pretendime të pabaza” akuzat e Kurtit për Lajçakun

Bruksel, 19 shtator 2023 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka quajtur “pretendime të pabaza” akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ishte në sinkron me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

“Nuk mund t’i komentojmë komentet e kryeministrit Kurti, sidomos kur janë pretendime të pabaza”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Stano ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian ua kanë bërë të qartë Kosovës dhe Serbisë se duhet të vazhdojnë t’i përmbushin obligimet e marra gjatë dialogut, sa më shpejt që është e mundur dhe pa parakushte.

Ai ka thënë se shtetet e BE-së e kanë përsëritur shumë qartë se e mbështesin Miroslav Lajçakun si lehtësues të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ata e mbështesin që ai ta ndihmojë Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kjo deklaratë është e mbështetur nga 27 vende të Bashkimit Evropian. 27 vendet e BE-së kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që t’i përmbushin obligimet e tyre pa asnjë vonesë. Gjithashtu ua kujtojnë palëve parimin e konfidencialitetit në dialog. Kjo u është shprehur shumë qartë të dyja vendev ”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të nisë pa vonesa dhe pa parakushte.

Të martën në mëngjes, nëpërmjet një komunikate për media, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, tha se BE-ja është e shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit të saj, për të cilat Kosova dhe Serbia janë pajtuar deklarativisht.

BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe do të ketë ndiikime në procesin e integrimit të dy vendeve në BE.

(r.m.)