Bruksel, 13 tetor 2021 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë dhe se BE-ja është në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin për situatën e krijuar.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell, në një postim në “Twitter”.
The violent incidents in the north of Kosovo need to stop immediately.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) October 13, 2021
Unilateral and uncoordinated actions that endanger stability are unacceptable.
All open issues must be addressed through the EU-facilitated Dialogue. We are in contact with Belgrade and Pristina.
Tensionet e së mërkurës në veri vijnë disa ditë pasi Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së targave. Trembëdhjetë ditë tensione u shënuan në fund të muajit gusht në veri pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa reciprociteti për çështjen e targave.
Aksioni i së mërkurës (13 tetor) i Policisë së Kosovës u zhvillua për, siç u tha, luftimin e kontrabandës në disa komuna të Kosovës, përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut.
Me të arritur forcat policore në atë pjesë, serbët lokalë dolën në rrugë për të kundërshtuar aksionin.
“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës dhe shtohet se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar pas përfundimit të aksionit.
Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani është raportuar se 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, thuhet në raportin e policisë, në të cilin gjithashtu theksohet se tetë persona janë arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.
Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.
Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është paralajmëruar se do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit serbë nga Kosova. Rashka është qytet në Serbi që afërsi të kufirit me Kosovën, përkatësisht pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë.
(REL)