BE-ja kërkon që Rusia të tërheqë njohjen e rajoneve në lindje të Ukrainës

Bruksel, 22 shkurt 2022 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka dënuar vendimin e Rusisë që të njohë dy rajonet lindore të Ukrainës si shtete të pavarura dhe ka kërkuar nga Moska që ta tërheqë këtë vendim.

Më 21 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska njohu rajonin e Luhanskut dhe Donjeckut si entitete të pavarura. Këto rajone kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Borrell përmes një deklarate në emër të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, tha se Moska me këtë veprim po minon edhe më tej sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe se një gjë e tillë është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjes së Minskut.

“Si nënshkruese e marrëveshjes së Minskut, Rusia ka përgjegjësi direkte për të punuar në gjetjen e zgjidhjes paqësore të konfliktit”, tha Borrell, duke iu referuar marrëveshjes së arritur më 2015, që ka për qëllim dhënien fund të konfliktit në lindje të Ukrainës midis forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Ky konflikt nisi në pranverën e vitit 2014 dhe deri më tani ka marrë jetën e mbi 13,200 persona.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë, si palë e konfliktit, që të tërheqë njohjen, t’i përmbahet zotimeve, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’iu rikthehet diskutimeve në formatin e Normandisë dhe të Grupit Trelateral të Kontaktit. Ne po ashtu u bëjmë thirrje shteteve të tjera që të mos e ndjekin vendimin joligjor të Rusisë për të njohur këto rajone”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se blloku evropian do të ndërmarrë masa ndaj Rusisë dhe ndaj individëve dhe entiteteve që janë përgjegjëse për minimin e integritetit territorial të Ukrainës. Sipas Borrellit, këto veprime do të koordinohen me partnerët.

“Ne e paralajmërojmë Rusinë që të mos shfrytëzojë paktet e reja që ka nënshkruar me ‘republikat’ e vetëshpallura si pretekst për të ndërmarrë veprime të mëtejmë ndaj Ukrainës. BE-ja është e gatshme të miratojë sanksione të gjera politike dhe ekonomike”, tha Borrell.

Gjermania dhe Britania veçse kanë njoftuar për sanksionet e para ndaj Rusisë, ndërkaq shtetet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se po përgatisin sanksione ndaj Moskës.

(REL)