Bruksel, 19 shtator 2024 – Shefja e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen do të udhëtojë në Ukrainë të premten pas vendimit të Brukselit për ndarjen e një ndihme të re prej 160 milionë eurosh, kryesisht për energjinë. Bashkimi Evropian vlerëson se rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar nga sulmet ruse.
Zonja von der Leyen thotë se shumica e fondeve do të sigurohen nga pasuritë ruse në BE që janë bllokuar për shkak të agresionit të Moskës. Shkatërrimet nga bombardimet e vazhdueshme ruse kanë dëmtuar sistemet e ngrohjes së shtëpive, spitaleve dhe shkollave, ndërsa temperaturat po ulen përpara dimrit të tretë të luftës.
Bashkimi Evropian thotë se Rusia duhet të paguajë për shkatërrimet që po shkakton në Ukrainë.
Presidentja e Komisionit Evropian Urusula von der Leyen njoftoi sot në Bruksel se do të vizitojë Ukrainën të premten me zotimin e një ndihme të re prej rreth 160 milionë eurosh.
Shumica e kësaj ndihme, sipas zonjës von der Leyen, vjen nga pasuritë ruse që mbahen të bllokuara në BE.
“Kjo përfshin 60 milionë euro ndihma humanitare për strehimore dhe ngrohëse, ndër të tjera. Vendimi gjithashtu përfshin rreth 100 milionë euro për riparime dhe energji të rinovueshme. Këto 100 milionë euro vijnë nga pasuritë ruse në Bashkimin Evropian”, tha zonja von der Leyen.
Me sulmet e vazhdueshme ajrore, Rusia ka nxjerrë jashtë funksionimit rreth 9 gigavat nga infrastruktura energjetike e Ukrainës, për të cilën zonja von der Leyen tha se ishte e barabartë me nevojat energjetike të tri shteteve baltike.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, një organizatë ndërqeveritare që vepron në mënyrë autonome me bazë në Paris, tha të enjten se Ukraina mund të përballet me një mungesë prej 6 gigavatësh këtë dimër pasi kërkesa maksimale për energji elektrike rritet.
“Për shkak të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, dy të tretat e kapaciteteve të prodhimit të energjisë në Ukrainë u humbën. Ne po i afrohemi dimrit. Siç e dini, kur temperaturat ulen, kërkesa për energji rritet dhe kjo mund të jetë çështje kryesore për energjinë elektrike dhe ngrohjen në Ukrainë”, tha Fatih Birol, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Një e treta e hidrocentraleve të Ukrainës gjithashtu nuk funksionojnë.
Gjatë konferencës së sotme shefja e BE-së gjithashtu njoftoi se një termocentral me karburant po çmontohet në Lituani për t’u dërguar në Ukrainë.
“Ndërsa flasim, një termocentral i plotë po çmontohet në Lituani dhe po dërgohet pjesë-pjesë në Ukrainë, me mbështetjen tonë. Ai do të rindërtohet më pas në Ukrainë. Kjo tregon gatishmërinë e shteteve anëtare për të mbështetur Ukrainën”, tha zonja von der Leyen.
Bashkimi Evropian gjithashtu njoftoi se do të rrisë eksportet për të furnizuar Ukrainën me energji elektrike.
(Zëri i Amerikës)