BE-ja pajtohet me Escobarin mbi problemet në komunikim me Kurtin

Bruksel, 13 mars 2024 – Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, është pajtuar me deklaratën e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për problemet në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“E them në përgjithësi, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe sjelljen e administratës aktuale në Prishtinë, pikëpamjet tona me partnerët amerikanë përputhen gati qind për qind”, ka thënë Stano, të mërkurën, duke u përgjigjur në një pyetje me deklaratën e Escobarit.

Të martën, në Bruksel, Gabriel Escobar ka deklaruar se jo vetëm SHBA-ja ka problem në komunikim me kryeministrin Kurti.

“Partneriteti mes SHBA-së dhe qytetarëve nuk shkon përmes një njeriu apo partie, por do të thosha se tani kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Ky nuk është problem që kanë vetëm SHBA-të, ka edhe BE-ja, NATO-ja, Britania e Madhe, si edhe disa shtete tjera, si Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Duam kthimin e marrëdhënieve në binarët që kanë qenë më parë”, u shpreh Escobar.

(r.m.)