Bruksel, 15 prill 2023 – Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje që partitë politike serbe kanë vendosur të bojkotojne zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku), të cilat do të mbahen më 23 prill.
Një zëdhënës i BE-së në Bruksel e ka cilësuar “zhgënjyes” vendimin e partive të serbëve që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Prandaj është shumë zhgënjyese që Lista Serbe dhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët e Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Radio Kosovën.
Me 27 shkurt të këtij viti, Kosova dhe Serbia u pajtuan me Marrëveshjen Bazë drejt Normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, të propozuar nga Bashkimi Evropian, e cila mbështetet edhe nga Shtetete Bashkuara të Amerikës, si edhe me aneksin për zbatimin e marrëveshjes.
“Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal”, thuhet në përgjigjen e Brukselit.
BE ka thënë se nuk mund të detyrojë palët të përfshihen në proceset demokratike, siç janë zgjedhjet, por ka bërë thirrje për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore”, thuhet në fund të përgjigjes së BE-së.
“Deri më tani është bërë pak përparim. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë”, thuhet më tutje në përgjigje.
Në nëntor të viti të kaluar përfaqësuesit e serbëve në Kosovë u larguan institucionet qendrore e lokale, organet e drejtësisë dhe administratën shtetërore tëë Kosovës. Në këtë mënyrë ata shprehën kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve të regjistruara në Serbi dhe regjistrimin e tyre me targat ‘RKS’ (Republika e Kosovës).
(r.m.)