BE: Kemi metodat tona për sanksione ndaj liderëve të Ballkanit

Bruksel, 6 janar 2022 – Bashkimi Evropian “ka marrë në dijeni” vendimin e administratës amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Por, zyrtarët në BE nuk i janë përgjigjur prerë pyetjeve të gazetarëve nëse blloku evropian do të ndjekë këtë shembull të Shteteve të Bashkuara dhe të vendosë sanksione.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, tha se “BE-ja ka një varg instrumentesh, përfshirë edhe mundësinë e sanksioneve, por për përdorimin e tyre vendimi duhet të miratohet në Këshillin e BE-së me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare”.

Këto mekanizma BE-ja i ka në dispozicion që nga viti 2011. Por, në BE nuk kanë pasur përgjigje as në pyetjen se sa vlejnë mekanizmat nëse ato nuk përdoren dhe se a e dobëson kjo pozicionin e BE-së në rajon.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet për gjetjen e shpejtë të zgjidhjes për krizën politike në Bosnje e Hercegovinë dhe ndaljen e të gjitha nismave të papranueshme, të cilat vënë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij shteti.

Pisonero tha se Bosnja e Hercegovina do të ketë pasoja në mungesë të gjetjes së rrugëdaljes nga kjo krizë dhe këto pasoja mund të jenë edhe në humbjen e mjeteve të shumta financiare nga Plani Evropian për investime në Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se ndihma financiare është e kushtëzuar edhe me procesin e reformave dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjermania para disa javësh publikisht ka përmendur idenë që BE të përdorë mundësinë për të sanksionuar Millorad Dodikun. Por, për një gjë të tillë nuk ka pasur pajtim nga të gjitha shtetet anëtare në Këshill.

SHBA-ja tha se ka zgjeruar sanksionet ndaj Dodikut për vepra korruptive, duke e akuzuar atë se po minon institucionet “duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës”.

(REL)