BE kërkon informacion shtesë për revokimin e licencës së operatorit serb të telefonisë, MTS

Bruksel, 18 gusht 2023 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se blloku evropian është duke e shqyrtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ia revokuar licencën kompanisë MTS d.o.o., për shkak të dokumentacionit të kontestuar gjatë regjistrimit të biznesit.

“Bashkimi Evropian është duke kërkuar më shumë informacione nga të dyja palët për t’i kuptuar implikimet e vendimit në Marrëveshjen e vitit 2013 dhe konkluzat e vitit 2016 për telekomunikacionin”, ka thënë ai.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë nga viti 2015.

Në fund të vitit 2016, kjo kompani e ka marrë licencën për të operuar sipas ligjeve të Kosovës.

Themeluese me 100 për qind të aksioneve është “Telekom Serbia”.

Kompania e ka selinë në Mitrovicë të Veriut, ndonëse i ka disa degë edhe në pjesë tjera të Kosovës.

Përveç pakove televizive, MTS ofron edhe internet dhe shërbimet tjera telefonike për konsumatorët e vet.

Megjithatë, në fillim të muajit gusht, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për revokim të licencës, për shkak të “dokumenteve jokushtetuese” në regjistra.

Dhjetëra kompanive tjera u është revokuar licenca e bizneset për arsye të njëjtë.

Në rastin e MTS-së, arsye për revokim është se një prej personave përgjegjës, gjatë periudhës së regjistrimit, e ka bashkëngjitur një pasaportë të lëshuar nga autoritetet serbe, në të cilën te vendi i lindjes shkruan “Mitrovicë e Kosovës, Republika e Serbisë”.

Agjencia për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, ka thënë në sqarimin për vendimin se, “një përmbajtje e tillë nuk lejohet për përdorim në Republikën e Kosovës, sepse përbën shkelje të normës kushtetuese dhe është diçka që përbën kërcënim serioz për sigurinë publike”.

Serbia lëshon dokumente identifikimi për të gjitha qytetet në Kosovë, mirëpo Prishtina zyrtare nuk i pranon ato.

“Telekom Serbia” nuk e pranon vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se “ekipi ligjor është duke përgatitur apel të gjatë, që do të dorëzohet brenda afateve ligjore”.

Afati për dorëzim të apelit është 30 ditë.

Paraprakisht, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se Kosova duhet të jetë e kujdesshme kur revokon licenca pune, dhe ka thënë se janë duke negociuar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, se si të zgjidhet kjo çështje.

Kur është pyetur për këtë çështje në një bashkëbisedim me gazetarët në Prishtinë, më 16 gusht, Hovenier ka thënë se e inkurajon Qeverinë e Kosovës që të marrë hapa të kujdesshëm kur është fjala për revokim të lejeve të punës.

(REL)