BE kërkon periudhë më të gjatë tranzicioni për përdorimin e dinarit serb në Kosovë

Bruksel, 1 shkurt 2024 – Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb, pasi më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore që parasheh vetëm përdorimin e valutës euro për pagesa në Kosovë.

Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregulores së Bankës Qendrore të Kosovës për me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar, duke mos specifikuar një afat kohor për këtë tranzicion.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja përmes një deklarate të lëshuar më 1 shkurt.

Blloku evropian po ashtu bëri thirrje që Kosova “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga Brukseli.

Brukseli shprehu shqetësim për vendimin e BQK-së për pagesat vetëm me euro, pasi sipas bllokut, ky vendim, që pamundëson përdorimin e dinarëve serbë, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.

Sipas BE-së, për këtë vendim, që hyn në fuqi më 1 shkurt, nuk ka pasur konsultime paraprake “veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”.

“BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, u tha në deklaratën e lëshuar nga BE-ja.

Paraprakisht, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe BE-në, i kishte bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.

Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

(REL)