Bruksel, 28 mars 2022 – Bashkimi Evropian ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulen tensionet dhe të respektojnë marrëveshjen për integrimin e personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, por edhe procedurat e rregullt disiplinore të Kosovës.
Ky reagim i BE-së vjen pasi javën e kaluar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e suspendoi nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, për shkak se më 22 mars, së bashku me përfaqësues tjerë të serbëve të Kosovës, mori pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka deklaruar se duhet të respekton procedurat, por edhe të kuptohet rëndësia e integrimit të personelit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës.
“Kemi marrë në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendimin e përkohshëm të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Personeli serb i Kosovës ishte integruar në sistemin ligjor të Kosovës më 2017 përmes një marrëveshjeje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ky integrim kishte mundësuar qasje në sistemin ligjor të Kosovës dhe sistemin e drejtësisë për komunitetin serb”, ka thënë Stano në një takim me gazetarë, në Bruksel.
“Personeli gjyqësor i integruar kryen detyra të rëndësishme nga të cilat përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë komunitetet joshumicë në Kosovë”, ka shtuar ai.
“BE-ja pret që autoritetet kompetente të Kosovës, por edhe të Serbisë, t’i respektojnë të gjitha pjesët e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Stano.
“Procedurat disiplinore nuk janë pjesë e marrëveshjes. BE beson se autoritetet kompetente do të ndjekin procesin dhe procedurën e duhur lidhur me shqyrtimin e një rasti të tillë disiplinore. Në të njëjtën kohë, presim nga personeli i sistemit ligjor të Kosovës të veprojë në bazë të ligjeve dhe rregullave të Kosovës”, ka theksuar ai.
Zëdhënësi i BE-s ka përsëritur edhe thirrjen e Bashkimit Evropian për përmbajtje nga retorika nxitëse.
“BE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që të veprojnë më përmbajtje dhe të përmbahen nga retorika apo veprimet të cilat mund të nxisin tensione. Presim nga të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë për një atmosferë të përshtatshme për normalizimin e raporteve të tyre”, ka thënë Stano.
Pas suspendimit të Lilana Stevanoviq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – pas një proteste të mbajtur më 25 mars, tha se kjo parti dhe stafi gjyqësor serb, do të pezullojnë punën deri në kthimin në punë të Stevanoviqit.
Pas suspendimit të Stevanoviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e akuzoi kryeministrin i Kosovës, Albin Kurtin, për shkelje të Marrëveshjes së arritur në Bruksel më2013 dhe paralajmëroi se ko marrëveshje “nuk ekziston më”.
BE nuk ka dashur ta komentojë këtë deklaratë.
Ndërkaq, Kurti ka thënë se sistemi gjyqësor i Kosovës është i pavarur nga Qeveria.
Në Bruksel druajnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës mund të kenë ndikim negativ edhe në procesin e dialogut midis dy vendeve.
Zyrtarë të BE-së thanë se nuk presin ndonjë zhvillim konkret në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve në Serbi, të cilat do të mbahen më 3 prill.
(Sipas REL)