Bruksel, 2 prill 2023 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të martën se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një detyrim i kamotshëm i Kosovës të cilin ajo duhet ta përmbushë me urgjencë, ndryshe mund të rrezikojë të ardhmen e saj evropiane.
“Nëse Kosova nuk arrin të tregojë rezultate në këtë çështje, atëherë kjo nuk do të shihet si shenjë pozitive e vullnetit për të ecur përpara në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që tani është e lidhur edhe me përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, tha ai.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në Bruksel dhe në Ohër vitin e kaluar.
Palët u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit. Të dyja palët i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi.
Një ditë më parë, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien kërkoi nga Kosova dhe Serbia zbatimin e të gjitha zotimeve të marra në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se “për Kosovën kjo përfshinë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Ai i bëri këto komente pas një bisede telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për një gamë çështjesh që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe diskutimet lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë, që ka çuar në mospajtime mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
Zoti O’Brien shkroi në rrjetin X, se me presidenten Osmani diskutoi “rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin pakicë serb”.
Të enjten Kosova dhe Serbia pritet të takohen në një raund të ri bisedimesh për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.
“Takimi i kryenegociatorëve këtë javë në Bruksel është i lidhur me çështje të tjera, çështje që janë diskutuar javët e kaluara në Bruksel për të zgjidhur problemin e pasojave të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës mbi përdorimin e dinarit serb. Pra, Asociacioni nuk është temë diskutimi, por është i pranishëm në çdo takim dhe bisedë me partnerët tanë në Kosovë meqë është një nga kushtet që Kosova duhet të përmbush sa më parë pa asnjë vonesë të mëtejshme”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Stano.
Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)