Bruksel, 4 shkurt 2024 – Bashkimi Evropian i bëri thirrje të dielën Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet ndërsa shprehu shqetësimin lidhur me veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele të Serbisë në Kosovë.
Autoritetet në Kosovë ditëve të fundit kanë ndërmarrë disa operacione për siç thanë mbylljen e zyreve të strukturave paralele të Serbisë që kanë vepruar brenda Kosovës.
Ministri i punëve të Brendshme Xhelal Sveçla njoftoi gjatë javës përmes rrjeteve sociale se autoritetet e vendit kanë mbyllur komunat e paligjshme që kanë shërbyer për komunën e Pejës, Istogut dhe Klinës. Ai tha se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Bashkimi Evropian tha se mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serbë në Kosovë pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.
Kosovo: 🇪🇺 notes with great concern Special Police operations at the offices of Serbia-run institutions. EU urges Kosovo once again to avoid unilateral actions that could raise tensions, and to address these issues through the EU-facilitated Dialogue. https://t.co/FvArYH9Xx2 pic.twitter.com/rWYua85zcn
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) February 4, 2024
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prandaj, Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut në Bruskel.”, thuhet në reagimin e Bashkimi Evropian
Ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde që mbështeti deklaratën e Bashkimit Evropian theksoi se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve”.
Again, I fully support this statement!
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) February 4, 2024
Unilateral measures only add fuel to the fire and are exactly the opposite of reducing tensions.
The EU-led dialogue between 🇽🇰 and 🇷🇸 is the only appropriate forum to address these issues. https://t.co/VOt8nAYTat
Reagimet e zyrtarëve evropianë pasuan atë të ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier i cili të shtunën në mbrëmje përmes një deklarate akuzoi qeverinë e Kosovës që siç tha me veprimet e tyre të fundit po nxisin tensione etnike në vend të cilat sipas tij po kufizojnë mbështetjen e Shtetet e Bashkuara për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ambasadori Hovenier tha se qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Ai shprehu edhe shqetësimin edhe për siç tha veprimet e policisë së Kosovës për sekuestrimin e dinarëve serb dhe veturës që transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi me 1 shkurt sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë ka ngritur shqetësimin të diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja.
Autoritetet në Kosovë kanë lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova që të shtyhet vendimi i Bankës Qendrore menjëherë, i cili nuk është këshilluar paraprakisht.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të premten gjatë një konference shtypi në Beograd se vendimi i autoriteteve në Kosovë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb ka për qëllim spastrimin etnik të serbëve ndërsa tha se do të kërkojë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Autoritetet në Kosovë thonë se dinari serb ka qenë gjithmonë i paligjshëm në vend dhe është keqpërdorur nga Serbia për financimin e strukturave paralele që kanë kryer veprime të paligjshme dhe të rrezikshme për shtetin e Kosovës.
Autoritetet në Prishtinë thanë se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë çështje, por presidenti serb hodhi poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte njohje të pavarësisë së Kosovës që Serbia vazhdon ta kundërshtojë.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)