BE: Kriza në Mal të Zi duhet të zgjidhet me mjete politike

Podgoricë, 22 janar 2022 – Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Mal të Zi që të punojnë për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e situatës aktuale, përmes konsultimeve dhe konsensusit të ndërsjellë, tha kryetarja e delegacionit të BE-së në Podgoricë, Oana Kristina Popa.

“Mali i Zi ka legjitimitet demokratik. Është shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë problemet në institucionet shtetërore dhe jo në rrugë”, tha Popa.

Thirrja nga BE-ja vjen në kulmin e një krize politike të shkaktuar nga një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, i iniciuar nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, si dhe nga propozimi i fundit i kryeministrit Zdravko Krivokapiq, që Kuvendit t’i shkurtohet mandati.

Thirrjes së BE-ja iu bashkua edhe Ambasada gjermane në Podgoricë, e cila me rastin e krizës aktuale politike theksoi se Mali i Zi duhet t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve dhe jo në rrugë.

“Ambasadori Robert Weber pajtohet se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare nuk do të vendosin se kush do të jetë në Qeverinë malazeze, porse shteti duhet të udhëheqë procesin dhe t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve, jo në rrugë”, ka thënë të premten, më 21 janar, Ambasada e Gjermanisë në Mal të Zi, përmes një postimi në Facebook.

Kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiq, për 4 shkurt ka caktuar votimin, fillimisht për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, e më pas për nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Vendimi për shkurtimin e mandatit të Kuvendit ose për rrëzimin e Qeverisë merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

(REL)