BE miraton sanksione shtesë kundër Rusisë

Bruksel, 15 mars 2022 – Bashkimi Evropian miratoi të martën një grup tjetër sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Sanksionet përfshijnë ndalesa të investimeve në sektorin energjetik rus, në eksportet e mallrave luksoze dhe në importet e produkteve të çelikut nga Rusia.

Sanksionet që hyjnë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së, gjatë ditës së sotme, ngrijnë edhe asetet e shumë udhëheqësve të biznesit që e mbështesin shtetin rus, në mesin e të cilëve është edhe pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich.

Burime të BE-së i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se sanksionet do të godasin kompanitë kryesore të naftës në Rusi – Rosneft, Transneft dhe Gazprom Neft – edhe pse vendet anëtare të BE-së do të mund të vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz prej tyre.

Sanksionet e fundit pasojnë tri raunde të tjera masash ndëshkuese, të cilat kanë përfshirë ngrirjen e aktiviteteve të Bankës Qendrore të Rusisë dhe përjashtimin e disa bankave ruse dhe bjelloruse nga sistemi bankar SWIFT.

Në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, SHBA-ja ka miratuar po ashtu një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, përfshirë ndalimin e importit të naftës së saj.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më tutje drejt lindjes.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gati tre milionë njerëz janë zhvendosur tashmë nga Ukraina.

(REL)