Bruksel, 17 nëntor 2023 – Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) kanë konfirmuar se ndajnë shqetësimin e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky lidhur me ndikimin negativ të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi informacione dhe i kemi vëzhguar këto aktivitete të Rusisë që prej disa kohësh, kështu që e kemi pasqyrën e plotë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë po përpiqet të bëjë Rusia. Ne po punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor për t’i trajnuar ata për të përballuar atë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në konferencën për shtyp.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të mërkurën, më 15 nëntor, se bota duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit, sepse ka informacione se Rusia “do të kujdeset që një vend ballkanik të shkojë në luftë me një tjetër” në mënyrë që ta tërheqë vëmendjen nga Ukraina.
Stano ka thënë se Brukseli prej disa kohësh ka vënë re se Rusia po përpiqet të ushtrojë ndikimin e saj malinj në territorin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne e dimë se Rusia bën gjithçka që mundet për të mbjellë pakënaqësi, paqëndrueshmëri politike, ndërhyrje të huaja, manipulim të informacionit dhe kjo është arsyeja përse ne po e rrisim bashkëpunimin dhe ndihmën tonë për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, kur bëhet fjalë për forcimin e kapaciteteve dhe aftësisë për të përballuar këtë formë të kërcënimeve hibride dhe ndikimin e jashtëm”, ka thënë Stano.
Ai ka konfirmuar se ndikimi rus ishte një nga temat e diskutimit në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.
Stano nuk ka dashur të komentojë detajet e bisedimeve të zyrtarëve të BE-së me partnerët nga rajoni, por ka përsëritur se ata “ndajnë vlerësimin” e presidentit ukrainas.
Paralajmërimet e Zelenskyt për mundësinë që Rusia të provokojë konflikt në Ballkanin Perëndimor i kanë komentuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë një takimi të enjten mbrëma në Zagreb.
Ata kanë thënë se “përgjigja më e mirë për të stabilizuar në mënyrë afatgjatë rajonin e Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së do të ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian për ta integruar edhe këtë rajon”.
Plenkoviq e ka përmendur edhe sulmin e fundit të, siç e ka quajtur ai, “grupit paramilitar serb“ në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, si dëshmi se si mund të eskalojë situata në rajon.
(REL)