BE: Plani evropian shans historik për Kosovën dhe Serbinë

Bruksel, 10 shkurt 2023 – Këshilli Evropian ka dalë me tri konkluzione lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, pas diskutimit lidhur me këtë temë në samitin e liderëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që u  mbajt të enjten në Bruksel.

Në konkluzionet e publikuara nga Këshilli Evropian thuhet se plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë është “shans historik” që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët.

“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre evropiane”, thuhet në konkluzionin e dytë, raporton Telegrafi.

Këshilli Evropian u kërkon të dy palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte marrëveshjet që janë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Krijimi  i këtij asociacioni është pika më nevralgjike e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Serbia këmbëngul në formimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive,  ndërsa Prishtina kundërshton çfarëdo organizimi që cenon karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Të enjten, para fillimit të samitit të liderëve të vendeve të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t’i ftojë së shpejti në takim, për të diskutuar lidhur me propozimin evropian.

“Propozimi (evropian) është në tavolinë. Do t’i ftoj të dy liderët të vijnë në Bruksel së shpejti… për të shtyrë para këtë propozim”, ka thënë ai.

Pak kohë më vonë, Kryeministri Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është pjesë e propozimit evropian.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ai nuk do të shkojë në Bruksel para se të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nëse mendoni të më ftoni në Bruksel për të më bindur të them që Asociacioni mund bëhet njëkohësisht me diçka tjetër apo pas diçkaje tjetër, mos më thirrni”, tha ai.

(r.m.)