BE planifikon ndryshime në zonën “Schengen”

Bruksel, 2 qershor 2021 – Bashkimi Evropian ka shpalosur planet për të bërë ndryshime në zonën evropiane të lëvizjes pa viza, pas masave kufizuese që ishin marrë vitin e shkuar për shkak të pandemisë së kosonavirusit.

Strategjia e re synon “të ngjeshë” kufijtë e jashtëm të Evropës, përmes agjencive të kufijve dhe një regjistrimi digjital për të përcjellë më mirë kush hyn e kush del nga Evropa.

Komisioni Evropian ka thënë se propozimet përfshijnë sistem të përmirësuar të monitorimit për të ndihmuar rritjen e besimit mes shteteve anëtare.

“Terrorizmi s’do të përfundojë, do të kemi edhe pandemi të tjera, do të kemi sfida të tjera që vijnë. Ajo që kemi nevojë është që të përgatitemi që zona ‘Schengen’ të jetë në dispozicion të përballet dhe adresojë këto sfida, që të sigurojmë qytetarët tanë teksa lëvizin të lirë”, ka thënë Ylva Johansson, Komisionerja për çështje të brendshme e BE-së, në një konferencë për mediat.

Qëllimi tjetër është zgjerimi i zones “Schengen” me shtetet tjera të BE-së, si: Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Qiproja.

Zona e lirë e udhëtimit, e njohur si zona “Schengen”, përbëhet nga 26 shtete: 22 anëtare të BE-së dhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia e Zvicra. Rreth 420 milionë njerëz jetojnë në këtë zonë.

Në parim, brenda kësaj zone, njerëzit dhe mallrat qarkullojnë lirshëm dhe pa kontrolle kufitare, por shpërthimi i pandemisë në Itali, në shkurt të vitit të kaluar i detyroi disa shtete brenda kësaj zone që të kthejnë kontrollet kufitare pa i pyetur fare fqinjët e tyre.

19 shtete të “Schengenit” kishin ndërmarrë masa që kufizonin lëvizjen e lirë Brenda zonës. Këto masat vetëmsa e shtuan presionin në kufijtë evropianë.

(r.m.)