BE pret përfundimin e hetimeve për sulmin në veri para se të marrë masa

Bruksel, 27 shtator 2023 – Pasi të vërtetohen të gjitha rrethanat dhe faktet e asaj që ka ndodhur më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të marrin vendime rreth masave dhe hapave të mundshëm.

Kështu deklaroi më 27 shtator zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth kërkesave të disa shteteve anëtare për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Tash kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës, pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohen dhe përmbyllen hetimet. Dhe kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, pasi kjo të jetë e qartë do të marrim vendimet e duhura”, tha Stano.

Ai përsëriti se masat ndëshkuese ndaj Kosovës – të vendosura në korrik për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për tensionet në veri – janë specifike, fleksibile dhe janë vendosur me pajtimin e shteteve anëtare. Po ashtu masat, sipas tij, mund të vendosen edhe ndaj Serbisë nëse kështu vlerësojnë shtetet anëtare.

Por, Stano tha se BE-ja nuk do të nxitohet me konkluzione pas u përfunduar hetimet.

Stano përsëriti disa herë se hetimet janë duke u kryer nga autoritetet e Kosovës dhe aty ku kërkohet po asiston edhe misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë.

Stano nuk deshi të komentojë akuzat nga Prishtina për përfshirjen e mundshme të nënkryetari të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

(REL)