Bruksel, 23 maj 2023 – Bashkimi Evropian pret që udhëheqja e re e Malit të Zi të fokusohet në reformat kryesore që janë të nevojshme për përparimin e vendit në procesin e integrimit evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero konfirmoi se institucionet evropiane janë të gatshme të bashkëpunojnë me Malin e Zi dhe të gjithë aktorët politikë për të ndihmuar vendin të qëndrojë në rrugën e tij strategjike dhe të ndërtojë një konsensus mbi veprimet prioritare që janë kyçe për procesin e pranimit të vendit në BE.
“Përqendrimi në reformat urgjente të shtetit të së drejtës, të cilat janë renditur në raportin e fundit të Komisionit Evropian për zgjerimin, janë të një rëndësie kyçe. Sigurisht, për këtë qëllim, ne vazhdojmë të mbështesim Malin e Zi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Për ne, stabiliteti politik është kyç për përparimin në rrugën drejt BE-së, një proces ng ai cili përfiton si Mali i Zi, ashtu edhe Evropa në tërësi”, tha Pisnero në një konferencë shtypi në Bruksel.
Ajo konfirmoi se pret që së shpejti në Bruksel të organizohen takimet e para të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviq.
Jakov Milatoviq u inaugurua më 20 maj, pasi mposhti Milo Gjukanoviqin, i cili mbante postet më të larta në Mal të Zi për tre dekada.
Vizita e tij e parë jashtë vendit pritet të jetë në Bruksel.
Milatoviq do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet më 1 qershor në Kishinjev të Moldavisë.
Nuk përjashtohet mundësia që ai të vizitojë Brukselin përpara Kishinjevit për të konfirmuar angazhimin e tij ndaj integrimit evropian.
Mali i Zi konsiderohet lider në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.
Megjithatë, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori 2021 për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme në procesin e anëtarësimit.
(REL)