BE pret që Maqedonia e Veriut të vazhdojë reformat e lidhura me agjendën evropiane

Bruksel, 2 nëntor 2021 – Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje të martën Maqedonisë së Veriut që të vazhdojë zbatimin e reformave të lidhura me Bashkimin Evropian.

Ky njëherësh shënon reagimin e parë të bllokut evropian prej mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut më 31 tetor dhe dorëheqjes së kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev.

Zaev ka dhënë dorëheqje pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, fituese ka dalë partia opozitare maqedonase VMRO-DMNE.

“Ne jemi në dijeni të dorëheqjes së kryeministrit Zaev. Është me rëndësi që vendi të vazhdojë implementimin e reformave të lidhura me BE-në” ka thënë Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së për çështje të zgjerimit.

Duke përcjellë qëndrimin e Komisionit Evropian, Pisonero ka rikujtuar se edhe misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it ka vlerësuar se zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut janë zhvilluar duke respektuar liritë themelore.

“Administrata që ka organizuar zgjedhjet bëri përpjekje për të adresuar disa mungesa procedurale, që ishin parë në raundin e parë. Megjithatë retorika negative dhe dyshimet për presion ndaj votuesve dhe kandidatëve, kanë vazhduar të ndikojnë në zgjedhje”, është thënë në reagim.

BE ka bërë thirrje që autoritetet dhe palët tjera të përfshira, të adresojnë rekomandimet e misionit vëzhgues me kohë, në mënyrë që ato të zbatohen.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë kryetarëve të rinj të komunave që të kontribuojnë në avancimin e reformave në agjendën evropiane, në të mirë të qytetarëve të tyre”, është thënë mes tjerash në reagim.

Sipas Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut i ka përmbushur që moti të gjitha kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Komisioni ka rekomanduar hapjen e këtyre negociatave, por në Këshillin e BE-së, ku vendet anëtare vendosin njëzëshëm, vendimi është bllokuar për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë.

Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020, ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin.

Sofja pranon gjuhën dhe identitetin maqedonas, por vetëm pas vitit 1945, pasi sipas saj para kësaj periudhe, ato kanë pasur “rrënjë bullgare”.

(REL)