Bruksel, 28 shkurt 2022 – Bashkimi Evropian u ka bërë përsëri thirrje të gjitha shteteve kandidate, përfshirë edhe Serbinë, që të mbështesin vendimet e bllokut për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero, tha të hënën se “nga vendet kandidate, siç është Serbia” presin që “t’u bashkohen qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se nga të gjitha vendet partnere dhe vendet mike të Bashkimit Evropian presin të mbështesin sanksionet e bllokut ndaj Rusisë,.
“Mendoj se kjo vlen për të gjithë miqtë, fqinjët dhe vendet partnere. Ne besojmë se jemi në moment historik dhe është koha që të merren hapa. Kërkojmë nga të gjithë që të aplikohen sanksione në mënyrë të koordinuar”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth qëndrimeve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, të cilat nuk kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.
Në mesin e shteteve që nuk i kanë mbështetur sanksionet janë Serbia dhe Bjellorusia.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti i tij e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk do të ndjekë shembullin e BE-së për të vendisur sanksione ndaj Rusisë.
Bashkimi Evropian ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë dhe bizneseve ruse, për shkak se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Sanksione janë vendosur edhe ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ministri i tij i Jashtëm, Sergei Lavrov, të cilëve u janë ngrirë asetet në Evropë.
Në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel nuk kanë dhënë përgjigje të qartë në pyetjen se sa është reale të pritet që Ukraina të bëhet vend kandidat për anëtarësim në BE dhe se çfarë ka menduar Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, kur ka thënë se “Ukraina e ka vendin në BE”.
Mamer tha se presidentja e KE-së e ka shprehur mendimin e saj, por ka rikujtuar se ekzistojnë procedura që duhet të ndiqen për anëtarësimnë BE.
Në pyetjet se si mund t’i premtohet diçka Ukrainës tani, kur procesi i zgjerimit po shkon aq ngadalë, ndërsa me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk kanë filluar ende bisedimet ndonëse ato kishin kërkuar para shumë vjetësh që të anëtarësohen në BE, zëdhënësi i KE-së u përgjigj:
“Askush më shumë se presidentja e Komisionit Evropian nuk është angazhuar për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë që ato kanë për BE-në”, tha Mamer.
“E dimë se ka thirrje, e kemi dëgjuar edhe mesazhin e presidentit Zelensky [Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zenensky] për procedurë të përshpejtuar, por Komisioni, sipas mandatit të vendeve anëtare, nuk e dikton vetë mandatin. Ne e kuptojmë rëndësinë, por procesin nuk e definon Komisioni”, shtoi ai.
Idenë që Ukraina të pranohet në BE me procedurë urgjente e paraqitën para një jave kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, dhe ai i Polonisë, Mateusz Morawiecki.
(Sipas REL)