Bruksel, 22 shkurt 2023 – Bashkimi Evropian (BE) e ka publikuar agjendën e takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet më 27 shkurt, në Bruksel.
Në faqen zyrtare të BE-së njoftohet se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, dhe i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me Kurtin dhe me Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.
Pas takimeve të ndara do të zhvillohet një takim i përbashkët i Kurtit e Vuçiqit, në praninë e Borrellit dhe Lajçakut.
“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.
Pas përfundimit të takimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media.
Borrell ka shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do ta pranojnë propozimin evropian, i cili shihet si rrugë për normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve.
“Është një propozim në tryezë. Shpresoj që ata (Kurti dhe Vuçiq) të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim, si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka thënë Borrell për “Deutche Welle”.
(r.m.)