BE reagon ashpër për dekorimin e Putinit nga udhëheqësi serb i Bosnjës

Bruksel, 9 janar 2023 – Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës dhe autoriteteve të saj për t’i dhënë presidentit rus Vladimir Putin ‘Urdhrin e Republikës Sërpska’, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Në Bashkimin Evropian nuk ka vend për nderimin dhe shpërblimin e politikanëve që urdhërojnë shkatërrimin e një vendi fqinj dhe vrasjen e popullit të tij. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ky vendim i udhëheqjes së Republikës Sërpska është për keqardhje dhe i gabuar”, tha zëdhënësi i BE-së në një konferencë të rregullt për shtyp.

Stano ka kujtuar se presidenti rus është drejtpërdrejt përgjegjës për agresionin e paligjshëm në Ukrainë dhe se civilët ukrainas po vriten dhe po shkatërrohet infrastruktura civile ukrainase.

Presidenti i entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës Republikës Sërpska, Milorad Dodik, ndau çmimin me 8 janar për sic u tha “kujdesin patriotik dhe dashurinë [e Putinit] për Republikës Sërpska”.

“Putini ka zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet politike dhe miqësore midis Republikës Srpska dhe Rusisë”, tha presidenti serb i Bosnjës, Milorad Dodik, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Banja Luka.

Dodik, i cili zhvilloi një takim me presidentin rus në shtator në Moskë, ka mbajtur lidhje të ngushta me zotin Putin pavarësisht luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Medalja do t’i dorëzohet presidentit Putin gjatë takimit të ardhshëm mes dy udhëheqësve”, tha ambasadori rus Igor Kalbukhov.

Autoritetet e Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur në Sarajevë në vitin 1992 Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb, miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnje e Hercegovinës si entitet i pavarur brenda Bosnjë-Hercegovinës.

Qëllimi ishte që ajo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës t’i aneksohej Jugosllavisë, e cila në atë kohë po shpërbëhej.

(VOA / REL)