Prishtinë, 18 qershor 2022 – Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të ndjekë reformën e gjyqësorit në përputhje me standardet përkatëse evropiane dhe ndërkombëtare dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikolla Gaon, ka deklaruar se Bashkimi Evropian e vlerëson punën e Komisionit të Venecias për nxjerrjen e opinioneve në lidhje me Koncept-Dokumentin për Vetingun e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, me draft amendamentet e Kushtetutës së Kosovës dhe me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ai ka thënë se BE-ja i inkurajon fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të ndjekë reformën e gjyqësorit në përputhje me standardet përkatëse evropiane dhe ndërkombëtare dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Është me rëndësi të sigurohet që secila masë e reformës në drejtësi të hartohet dhe zbatohet në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e theksuara nga Komisioni i Venecias në opinionet e tij. Në përputhje me opinionet e Komisionit të Venecias, BE-ja konsideron se vetingu në shkallë të gjerë i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme e fundit pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për sigurimin e integritetit brenda gjyqësorit”, ka thënë Gaon, për Telegrafin.
Gaon ka thënë se BE-ja do të mbështesë procesin e reformës në drejtësi.
“BE-ja ka dialog të vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës për çështjet e reformës në drejtësi. BE-ja mirëpret që të angazhohet edhe më tej në këtë çështje për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe për fuqizimin e sundimit të ligjit”, ka thënë ai.
Komisioni i Venecias ka dhënë të premten opinionet lidhur me procesin e vettingut në systemin e drejtësisë dhe lidhur me Projektligjin për Vlerësimin dhe Konfirmimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Komisioni ka dhënë edhe disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës.
(r.m.)