Zyrtarët në Tiranë pranojnë rritjen me dy herë të numrit të të infektuarve dhe të të shtrirëve në spital. Për herë të parë që nga mesi i muajit maj, janë shënuar 12 viktima brenda javës
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama njoftoi mbërritjen në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza” të 43,512 dozave të vaksinës “Pfizer”.
Gjithsej Shqipëria ka marrë nga 1,899,172 doza “Pfizer”, “Astra Zeneka”, “Sputnik” dhe “Sinovak” që nga janari kur filloi fushatën e vaksinimit.
Më pas në rrjetet shoqërorë euroambasadori Luixhi Soreka shkruajti se Shqipëria mori ngarkesën e fundit të vaksinave të financuara nga Bashkimi Europian.
Sipas zotit Soreka, vaksinat “BioNTech/Pfizer” janë të dhuruara nga Austria dhe të shpërndara çdo javë për të arritur planin e vaksinimit në vend.
Zoti Soreka theksoi shifrën 150 mijë të vaksinave për qytetarët shqiptarë dhe premtoi ndihmën e Brukselit për Shqipërinë në përballjen me COVID-19.
Shqipëria shënoi 65 për qind rritje të rasteve të reja me Koronavirus javën e kaluar krahasuar me datat 17-23 gusht.
Po ashtu u shënua numri më i madh javor i viktimave, 12 që nga 17 maji.
Rritjen e infektimeve e ka theksuar shqetësuese më herët ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila ka bërë thirrje për vaksinim masiv:
“Rritje me dy herë e rasteve të infektuara dhe pacientëve të shtruar. Grupmoshat mbi 55 vjeç janë më të prekurat. Por, të vijojmë sa më shumë me vaksinimin në këtë muaj të vaksinimit të hapur”.
2,478 persona kanë humbur jetën në Shqipëri qëkur pandemia u shfaq në mars 2020.