BE: Shkarkimi i Ekipit Menaxhues për Asociacionin shkel frymën e dialogut

Bruksel, 4 maj 2023 – Bashkimi Evropian ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit Menaxhues për hartimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve të dialogut. Sipas tij, në marrëveshjen e arritur gjatë dialogut të zhvilluar në Bruksel thuhet se Ekipi Menaxhues duhet të jetë funksional deri sa të miratohet statuti i Asociacionit.

“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit Menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se misedimet për Asociacioni do të vazhdojnë së shpejti në nivel kryenegociatorësh.

“Lehtësuesi i BE-së do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët e tyre në Bruksel për të filluar negociatat për statutin. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, dhe të përfundojnë negociatat me shpejtësi”, ka thënë Stano në një përgjigje për KOHËN.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi të mërkurën se anëtarët e Ekipit Menaxhues i ka liruar nga detyra, pasi mandati i tyre ka përfunduar me prezantimin e draftit të statutit të Asociacionit, në takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën, në Bruksel.

Kurti e ka cilësuar draftin e statutit të hartuar nga Ekipi Menaxhues si produkt të synimit të Serbisë për krijimin e një Republika Sërpska në Kosovë.

(r.m.)