Prishtinë, 23 dhjetor 2024 – Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se është për keqardhje moscertifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
KQZ-ja ka marrë vendim të hënën të mos e certifikojë Listën Serbe. Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
BE-ja ka thënë për KOHËN se procesi i certifikimit “duhet të bazohet në standarde e procedura ligjore e jo në konsiderata politike”.
“Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe fer, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës dhe zbatimin e barabartë të tij. Procesi i certifikimit duhet të bazohet në standardet dhe procedurat ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, e jo në konsiderata politike. BE-ja thekson se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
BE-ja pret nga KQZ-ja dhe anëtarët e saj, që të sigurojnë “me të gjitha mekanizmat e aplikueshëm një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm e transparent, duke u mundësuar votuesve kosovarë të shprehin qartë zgjedhjen e tyre”.
Ndaj vendimit të KQZ-së ka reaguar edhe SHBA-ja, që ka shprehur shqetësimin për vendimin.
Ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë se e ndan shqetësimin me BE-në e SHBA-në.