Bruksel, 12 maj 2024 – Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur keqardhje që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit kur u betua si presidente në një ceremoni parlamentare të dielën.
“BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha zëdhënësja e BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, Nabila Massrali, tha në një komunikatë të dielën.
Gjatë ceremonisë së betimit si presidente e vendit në Parlament të dielën më herët, Davkova tha se “do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut.
The EU regrets the fact that the new President of North Macedonia did not use the constitutional name of the country at the swearing-in ceremony.
— Nabila Massrali (@NabilaEUspox) May 12, 2024
Read the full statement 👇 https://t.co/AwzqGVLgqW
Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofia Filipidou, e braktisi ceremoninë e betimit të presidentes në shenjë proteste pse Davkova e përmendi emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” gjatë procesit.
Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.
Davkoka u bë gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj.
Ajo e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.
Megjithatë, Davkova, në fjalimin e saj nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë, por tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.
Davkova nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.
Ajo u zotua gjatë fjalimit se kabineti i saj presidencial do të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit, “ku do të ketë vend edhe për maqedonasit, shqiptarët dhe përfaqësuesit e entiteteve tjera, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet bazuar në kritere profesionale dhe jopartiake”.
Më herët gjatë ditës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidenti i Këshillit të BE-s, Charles Michel, e uruan Davkovën për marrjen e detyrës si presidentes së Maqedonisë së Veriut zyrtarisht. duke theksuar se vendi i saj duhet t’i vazhdojë reformat e kërkuara në rrugën e Shkupit drejt integrimit në Bashkim Evropian.
(Radio Evropa e Lirë)