BE shpreh sërish shqetësimin për situatën në veri të Kosovës, bën thirrje për uljen e tensioneve

Bruksel, 12 dhjetor 2022 – Bashkimi Evropian edhe sot ka shprehur shqetësim për situatën në Kosovë dhe ka përsëritur thirrjet për të gjitha palët që të punojnë në uljen e tensioneve.

Për këtë situatë është folur në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, ndonëse Kosova formalisht nuk ka qenë pjesë e rendit të ditës

Përfaqësuesi i lartë për politikë tëjashtme, Joseph Borrell, ka thënë se bllokada e rrugëve nuk është mënyrë për të kërkuar zgjidhje dhe për të arritur normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

E ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalenna Baerbock, ka përsëritur atë që ka thënë të dielën. Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka bërë pjesën e vet të detyrës duke shtyrë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore dhe ka theksuar se tani i takon Serbisë të bëjë më shumë për uljen e tensioneve.

Koha.net raporton se situata në rajon, procesi i zgjerimit dhe dialogu mes Kosovës e Serbisë pritet të jenë tema të takimit të nesërm të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Pritet që në këtë takim të miratohen edhe konkluzionet për dialogun Kosovë-Serbi, ku do t’u bëhet thirrje të dy palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

(r.m.)