BE: “Situata në veri të Kosovës mbetet ende sfiduese”

Bruksel, 2 gusht 2023 – Bashkimi Evropian e ka publikuar të mërkurën Raportin vjetor për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në botë për vitin 2022.

Në raportin për Kosovën thuhet se nevojiten përpjekje shtesë për zbatimin efektiv të legjislacionit për të drejtat themelore të njeriut.

“Kuadri ligjor garanton mbrojtjen e të drejtave themelore dhe është në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë për të zbatuar në mënyrë efektive legjislacionin për të drejtat themelore. Kapacitetet e qeverisë për përmirësimin dhe mbikëqyrjen e politikave dhe legjislacionit për të drejtat themelore kanë nevojë për përmirësim”, thuhet në raport.

Në raportin e BE-së pasqyrohet edhe situata në pjesën veriore të Kosovës. Aty thuhet se situata në këtë pjesë të vendit vazhdon të jetë sfiduese.

“Situata në veri të Kosovës mbetet ende sfiduese, veçanërisht sa i përket gjykimit për korrupsion, krim të organizuar dhe liri të shprehjes, përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medias. Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe më pas ngritja e postblloqeve ndikoi negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në pjesën veriore, ku organet e drejtësisë dhe policia veprojnë me kapacitete shumë të kufizuara”, thuhet në raport.

Në pjesën e raportit për situatën politike thuhet se polarizimi politik ka ndkuar negativisht në punën e Kuvendit të Kosovës.

“Në vitin 2022, Kosova kishte një stabilitet politik, sepse qeveria e kishte një shumicë solide në Kuvend. Ky mjedis politik ishte i favorshëm që në Kosovë të shtoheshin përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe për sundimin e ligjit. Megjithatë, Kuvendi vazhdoi të punojë nën trusninë e polarizimit politik dhe të mungesës së kuorumit për vendimmarrje”, thuhet në raportin e BE-së.

Në raport janë specifikuar edhe progamet dhe projektet e mbështetura nga BE-ja gjatë vitit 2022, si edhe shumat e mbështetjes financiare për realzimin e tyre.

RAPORTI I PLOTË

1. Pasqyrë e situatës së të drejtave të njeriut dhe demokracisë: Kuadri ligjor garanton mbrojtjen e të drejtave themelore dhe është në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë për të zbatuar në mënyrë efektive legjislacionin për të drejtat themelore. Kapacitetet e qeverisë për përmirësimin dhe mbikëqyrjen e politikave dhe legjislacionit për të drejtat themelore kanë nevojë për përmirësim, përfshirë edhe koordinimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të barazisë gjinore dhe të komuniteteve joshumicë, në nivel qendror dhe lokal. Çështja e të drejtave themelore duhet të ngrihen më lart në axhendën politike. Burimet njerëzore dhe financiare mungojnë dhe autoritetet përkatëse janë ende të varura nga mbështetja e donatorëve dhe duhet të marrin përsipër më shumë kompetenca. Derisa Kushtetuta i mbron nga diskriminimi në bazë të orientimit seksual, pranimi i përgjithshëm dhe ndërgjegjësimi i publikut me të drejtat e personave LGBTI mbetet ende i ulët. Duhet bërë më shumë për të garantuar barazinë gjinore dhe mbrojtjen e fëmijëve në praktikë. Nevojiten përpjekje shtesë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e personave që u përkasin pakicave, përfshirë romët, ashkalitë dhe egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat e zhvendosur. Situata në veri të Kosovës mbetet ende sfiduese, veçanërisht sa i përket gjykimit për korrupsionin, krim të organizuar dhe lirisë së shprehjes, duke përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medias. Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe më pas ngritja e postblloqeve ndikoi negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në pjesën veriore, ku organet e drejtësisë dhe policia veprojnë me kapacitete shumë të kufizuara.

Në vitin 2022, Kosova kishte një stabilitet politik, sepse qeveria e kishte një shumicë solide në Kuvend. Ky mjedis politik ishte i favorshëm që në Kosovë të shtoheshin përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe për sundimin e ligjit. Megjithatë. Megjithatë, Kuvendi vazhdoi të punojë nën trusninë e polarizimit politik dhe të mungesës së kuorumit për vendimmarrje. Procesi zgjedhor në Kosovë ende ka nevojë për fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë procesit zgjedhor, siç është identifikuar nga misionet e BE-së që kanë vëzhguar zgjedhjet, si edhe nga misioni I BE-së për vazhdimin e zgjedhjeve, i vendosur në Kosovë në nëntor të vitit 2022.

2. Veprimi i BE-së në fushat kryesore: BE-ja vazhdon të monitorojë nga afër respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo përfshin lirinë e tubimit dhe bashkimit, lirinë e shprehjes, të drejtat e personave në situata të brishta, përfshirë personat që u përkasin pakicave; të drejtave për barazi dhe mosdiskriminim, fëmijët, personat LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuara, si edhe barazinë gjinore, si pjesë e rrugës evropiane të Kosovës.

3. Angazhimi politik dypolësh i BE-së: Zhvillohet një dialog i rregullt politik, si në planin teknik ashtu edhe në planin politik, veçanërisht në nënkomisionin për Drejtësi, Liri dhe Siguri në kuadër të Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, si dhe përmes vlerësimeve të rregullta dhe projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit. BE-ja vazhdon të lehtësojë Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë vitit 2022 në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë pati kriza të përsëritura dhe situata në terren mbeti e brishtë. Por, palët e miratuan një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, ranë dakord për udhëtim vetëm me karta të identitetit dhe arritën marrëveshje që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme lidhur me targat e automjeteve me qëllim që krijohet ambient që Dialogu të fokusohet në propozimin e fundit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

4. Angazhimi financiar i BE-së: Në vitin 2022, Kosova vazhdoi të përfitonte nga mbështetja në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit. Mbështetja e BE-së për rimëkëmbje nga COVID-19 (68 euro milionë) vazhdoi edhe në vitin 2022, duke përfshirë 5 milionë euro për pajisje mjekësore urgjente dhe 63 milionë euro për masat e rimëkëmbjes socio-ekonomike. Këtu përfshiheshin një kontratë fleksibile (mbështetje e buxhetit), si edhe një program për mbrojtjen sociale që adreson më së shumti nevojat e personave në gjendje të cenueshme. Zbatimi i një projekti për forcimin e kapaciteteve të Institucionit të Ombudspersonit vazhdoi (2.7 milionë euro). Është mbështetur kthimi vullnetar dhe riintegrimi i 56 familjeve të zhvendosura nga Kosova dhe nga rajoni (1.5 milionë euro). BE-ja i ka mbështetur 156 projekte për stabilitetin socio-ekonomik të komuniteteve pakicë (700 mijë euro).

Në kuadër të Programit Tematik NDICI për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, vazhdoi zbatimi i projekteve që fokusohen në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve (0.4 milionë euro), mbrojtjen dhe avancimin e të drejtës për punë të grupeve vulnerabël (0.3 milionë euro), avancimin e të drejtës për mjedis të pastër e të shëndetshëm, sigurimin e aksesit në drejtësi për grupet më të cenueshme (0.6 euro milionë) dhe promovimin e pjesëmarrjes së grave në politikë (0.5 milionë euro).

BE mbështeti me një shumë prej 0.5 milionë eurosh tri projekte të reja për luftimin e diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës me bazë gjinore dhe për rritjen e kapaciteteve të institucioneve për parandalimin dhe adresimin e këtyre çështjeve.

Programi për mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe Medies vazhdoi të ofrojë mbështetje për strehimin riintegrimin e fuqizimin socio-ekonomik për gratë në situata të cenueshme dhe për grupet e margjinalizuara (0.45 milionë euro).

Mbështetja e vazhdueshme për personat me aftësi të kufizuara është forcuar me një kontratë të re. BE-ja ka vazhduar edhe mbështetjen për lirinë e medias, gazetarinë hulumtuese, qëndrueshmërinë e medies dhe ngritjen e kapaciteteve për të informuar publikun për çështje të rëndësishme, të tilla si: korrupsioni, mbrojtja e mjedisit dhe çështjet e të drejtave të njeriut (EUR 1.5 milion) dhe është nënshkruar një kontratë e re për promovimin e pluralizmit mediatik (0.35 milion euro).

Janë nënshkruar edhe tri kontrata të reja për mbështetjen e Organizatave të Shoqërisë Civile në luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e aksesit në drejtësi dhe përmirësimin e reformave në administratën publike (0.6 milionë euro).

Ka vazhduar ndihma edhe në kuadër të Instrumentit Horizontal BE/Këshilli i Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Veprimet në Kosovë ishin fokusuar në tri fusha/projekte tematike: ngritjen e cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë – KOSEJ II (1 milion euro); promovimin e diversitetit dhe barazisë (0.3 milionë euro) dhe lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies përmes projektit JUFREX 2 (0.425 EUR).

5. Konteksti shumëpalësh: Kosova e ka vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin me organizatat vendore, evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe me organet monitoruese.

Kosova e ka dorëzuar aplikacione për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.

(r.m.)