Bruksel, 1 dhjetor 2022 – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, në takimin që do të mbajnë në Tiranë, më 6 dhjetor, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ata, po ashtu, pritet të kërkojnë nga vendet e rajonit që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta.
Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës“, draftin e së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.
Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Ai vjen në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar.
Për pasojat e saj pritet të flitet edhe në samitin e Tiranës.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që po eskalon e po e vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe atë globale, potencon rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në tekstin e draft-deklaratës së Tiranës.
“Bashkimi Evropian rikonfirmon përkushtimin e plotë dhe të padyshimtë për perspektiven e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, bazuar në reformat kredibile nga ana e partnerëve“, thuhet po ashtu në tekst.
Aty mirëpritet edhe përkushtimi i vendeve të rajonit për të respektuar, siç thuhet, të drejtën ndërkombëtare dhe vlerat themelore të BE-së.
“Qëndrimi krah BE-së është një sinjal i qartë strategjik i partnerëve, në kohën kur Rusia përshkallëzon luftën e saj agresive në Ukrainë. Vizioni i përbashkët i së ardhmes nënkupton edhe përgjegjësi të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta“, thuhet në draft-deklaratë.
Ajo kërkon nga vendet e rajonit që ta harmonizojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.
Ndonjë vend specifik nuk përmendet, por Serbia është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Përderisa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, kërkojmë nga ta që të bëjnë përparim të shpejtë dhe domethënës drejt përshtatjes së plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë“, thuhet në tekst.
Draft-deklarata mirëpret edhe zbatimin e marrëveshjes për heqjen e romingut për telefoninë mobile në nivel të rajonit, ndërsa kërkon që të reduktohen edhe tarifat e romingut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.
Teksti përmban edhe përkushtimin ndaj sektorit të energjisë, infrastrukturës digjitale, infrastrukturës dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit.
(REL)