BE: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta përshtatin politikën e jashtme me atë të BE-së

Bruksel, 12 maj 2022 – Bashkimi Evropian u ka rikujtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor se përshtatja e qëndrimeve të tyre me vendimet e BE-së në politikë të jashtme dhe siguri, është element qendror në rrugëtimin e tyre evropian.

Kështu është thënë në një komunikatë të lëshuar nga autoritetet evropiane, pas një takimi joformal që ka realizuar kryediplomati evropian, Josep Borrell me zyrtarë të lartë të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë komunikatë është thënë se takimi ka qenë rast për të shkëmbyer mendimet rreth sfidave në rajon dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

“Fokusi në takimin e të mërkurës, 11 maj, ishte ndikimi global dhe rajonal i luftës ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, dhe si munden së bashku BE-ja dhe partnerët nga Ballkani Perendimor të adresojnë dëmet dhe pasojat e kësaj lufte, si në çmimet e ushqimit dhe energjisë, ashtu edhe në stabilitetin rajonal dhe global”, thuhet në këtë komunikatë.

“Përfaqësuesi i lartë Borrell ka mirëpritur mbështetjen e plotë të partnerëve nga Ballkani Perëndimor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutat lidhur me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Përfaqësuesi i lartë i ka njoftuar për përgjigjen e BE-së në mbështetje të Ukrainës, përfshirë edhe masat restriktive që kanë për qëllim kufizimin e aftësive të Kremlinit për të financuar luftën. Ai ka përsëritur rëndësinë e përshtatjes me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, si element qendror në rrugëtimin evropian” thuhet më tej në komunikatë, duke shtuar se “liderët kanë konfirmuar përkushtimin e tyre strategjik për integrim në BE dhe bashkëpunim rajonal”.

Deri më tani, Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

BE-ja ka paralajmëruar se diskutimet me vendet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë javën e ardhshme në nivel të ministrave të Jashtëm.

Pjesëmarrës në darkën në Bruksel ishin: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Kosova është përfaqësuar në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

(REL)