Begaj mirëpret hapin e radhës drejt liberalizimit të vizave për Kosovën

Tiranë, 9 mars 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mirëpritur hapin e radhës nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me liberalizmin e vizave për Kosovën. Ai pret që ky proces të përmbyllet në tërësi sa më parë në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Evropës.

“Përshëndes hapin e rëndësishëm të ndërmarrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë, pa viza te qytetarëve të Kosovës ne hapësirën Shengen! Uroj që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të ndjehen njësoj si qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor! Një vendim shumë i merituar!”, ka shkruar Begaj.

Vendimi i Këshilli të Ministrave të Brendshëm të BE-së është miratuar pa diskutime.

Rregullat e reja duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian, kurse në fund duhet të nënshkruhen dhe botohen në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen pritet të fillojë jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

(r.m.)