Nju Jork, 20 shtator 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar në New York me zëvendës ndihmës-sekretarin amerikan të SHBA-së, Gabriel Escobar.
Gjatë takimit, ndër të tjera, është biseduar edhe për çështjen e Kosovës.
“Në takim u vu theksi tek domosdoshmëria e uljes së tensioneve në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe e nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve. Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.
Presidenti Begaj, në një postim në Facebook, ka theksuar se Shqipëria mbetet një aleate e fortë dhe e besueshme e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
“Kënaqësi të takohesha me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Eskobar.
Shqipëria mbetet një aleate e fortë dhe e besueshme e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar aktivisht në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Partneriteti ynë strategjik është i rrënjosur në angazhimin tonë të përbashkët për paqen, demokracinë dhe prosperitetin e ndërsjellë”, kas shkruar Begaj.
(r.m.)