Tiranë, 11 prill 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar të martën me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kabineti i presidentit Begaj ka njoftuar se në qendër të takimit kanë qenë shvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
Në njoftim thuhet se Presidenti Begaj i ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve dhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rol të pazëvendësueshëm për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Begaj e ka vlerësuar posaçërisht mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe z. Escobar i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm të tij”, citohet Presidenti Begaj
Pas takimit, Begaj ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke, është shumë i rëndësishëm për sigurinë në mbarë rajonin.
Në takim është biseduar edhe për sfidat dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Në këtë kontekst, Presidenti Begaj ka thënë se tani ka një vëmendje më të madhe ndaj rajonit.
Gjatë takimit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjes së sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Presidenti Begaj ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane për ngritjen e kapaciteteve aftësive mbrojtëse kibernetike në Shqipëri.
(r.m.)