Nju Jork, 21 shtator 2023 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u takua tën enjten në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres.
Presidenca shqiotare njofton se Presidenti Begaj e ka folur për kontributin e Shqipërisë për paqen dhe sigurinë, gjatë dy viteve të fundit, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai ka thënë se angazhimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit “është konfirmim i rolit të Shqipërisë si faktor stabiliteti, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë”.
Presidenti Begaj ia ka shprehur Sekretarit Guterres angazhimin maksimal të Shqipërisë në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Axhendës 2030.
Në njoftim thuhet se Presidenti Begaj ka shprehur pikëpamjet e Shqipërisë edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se rajoni “po kalon një periudhë tejet dinamike” dhe se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj në forcimin e bashkëpunimit mes shteteve, në funksion të stabilitetit dhe përparimit të tyre.
Presidenti Begaj ka shprehur qëndrimin e Shqipërisë edhe ndaj dialogut për normalizimin e mafrrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se Shqipëria e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropain, i cili mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Begaj ka theksuar se arritja e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë do të mundësonte që të dy këto vende, si edhe vendet tjera të rajonit, të vazhdonin rrugëtimin me sukses të tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
(r.m.)