Begaj në takim me senatorët Murphy e Peters: Njohja reciproke Kosovë – Serbi në interes të mbarë rajonit

Tiranë, 23 maj 2023 – Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, kanë vizituar të martën Shqipërinë, në kuadër të vizitës disaditëshe në rajon.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, senarorët amerikanë u takuan me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe me Kryeministrin Edi Rama.

Presidenti Begaj, si njofton kabineti i tij, e ka përshëndetur vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe e ka vlerësuar vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit dhe të Senatit amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj i ka cilësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka theksuar se, për Shqipërinë dhe shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre.

Begaj ka folur edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Ballkani Perëndimor, si edhe për rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë, dashakeqës ndaj integrimeve euro-atlantike të vendeve të rajonit.

Ai ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e shumanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë, përfshirë edhe mbështetjen e agjencive të specializuara amerikane për përballimin e sulmeve kibernetike në Shqipëri.

Kabineti i Presidentit Begaj njoftoi se në takim me senatorët Murphy e Peters është diskutuar edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë. Begaj ka thënë se Marrëveshja për të cilën janë dakorduar palët në Bruksel dhe në Ohër duhet të jetë marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht e detyrueshme.

Ai ka theksuar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, me në qendër njohjen reciproke, do të ketë ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e gjithë Ballkanit Perëndimor.

Senatorët Murphy e Peters kanë arrtirur në Shqipëri nga Kosova, ku e kanë filluar turneun e tyre disaditor në vendet e rajonit. Pas Shqipërisë, ata do të vizitojnë edhe Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

(r.m.)