Begaj: Partneriteti ynë me SHBA-të është më i fortë se kurrë

Tiranë, 15 shkurt 2024 – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Sekretarin amerikan të Shtetit,  Antony J. Blinken, me të cilin bisedoi për rëndësinë e  marrëdhënieve strategjike dypalëshe, për zhvillimet në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimi në krah të aleatëve në NATO-s, njoftoi kabineti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Begaj e cilësoi shumë të rëndësishme këtë vizitë dhe u shpreh se ajo është një demostrim “se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë”.

”Kjo vizitë është një mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë të jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën  drejt integrimit në BE”, tha Begaj.

Kreu i shtetit i shrehu Sekretarit Blinken mirënjohjen  për atë që  SHBA kanë bërë e po bëjnë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.

”Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe Ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse”, tha Presidenti Begaj gjatë bisedës me Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Presidenti i Republikës tha se Shqipëria  dhe SHBA kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO duke  kontribuar në misione në  Afganistan dhe Irak.

”Shqipëria është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë së bashku me SHBA dhe NATO për sigurinë rajonale dhe globale”, u shpreh ai.

”Unë e shoh këtë vizitë si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë, partneritetin tonë strategjik që do të zgjasë për shumë  se 100 vite të tjera”, theksoi Presidenti Begaj.

(r.m.)