Begaj: Prishtina të dëgjojë rekomandimet e SHBA-ve për dialogun me Serbinë, nuk kemi nevojë për vetizolim

Uashington, 22 shtator 2023 – Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha se autoritetet e Kosovës duhet të ndjekin rekomandimet e Shteteve të Bashkuara për procesin e dialogut me Serbinë.

“Ne nuk kemi nevojë për vetizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje, kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik”, tha Begaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai tha se Shqipëria e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

“Ne e mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili është i lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri dhe aleati ynë strategjik”, tha ai.

Begaj tha se Shqipëria dhe ai, si president i shtetit, e mbështesin Kosovën në të gjitha takimet, forumet dhe organizatat ndërkombëtare,

“Unë në çdo takim që kam zhvilluar, si kryetar i shtetit, me çdo partner ndërkombëtar, në çdo organizatë ndërkombëtare, kam shprehur nevojën e mbështetjes së Kosovës, jo vetëm si mbështetje morale, por edhe në drejtim të njohjeve të reja. Në fakt mbështetja e Kosovës është domosdoshmëri, domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, për faktin që faktori shqiptar është një faktor i rëndësishëm për paqen, për sigurinë, mirëqenien dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Faktori shqiptar e ka në ADN-në e vet frymën europiane dhe rrugëtimin euroatlantik”, tha Begaj.

“Gjatë kohës që Shqipëria ka mbajtur pozicionin e vendit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjithmonë ka bërë thirrje në mbështetje të Kosovës dhe për njohje të reja të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

“Është detyrë e çdo qytetari, e çdo shtetari, që të mbështesin Kosovën”, theksoi Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në intervistën e zhvilluar nga Klementina Cenkollari, ai foli edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë dhe për çështjet që i ngarkojnë këto marrëdhënie, si edhe për zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Po ashtu, foli për diaporën shqiptare në Amerikës, për kontributet e së cilës shprehu konsideratat më të larta.

(r.m.)