Tiranë, 7 nëntor 2022 – Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së është pritur sot në një takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj.
Presidenti Begaj e cilësoi mjaft domethënëse vizitën e Ambasadores Linda Thomas-Greenfield në Tiranë, e cila realezohet në 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe e vlerësoi vullnetin e dyanshëm për ta forcuar e thelluar më tej dialogun midis dy vendeve.
“Bashkëpunimi në fushat e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, energjisë dhe transportit, por jo vetëm, i kanë dhënë këtyre marrëdhënieve një substancë shumë domethënëse dhe për 100 vitet e ardhshme” – u shpreh Begaj.
Presidenti i Shqipërisë e vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Ambasadorja Greenfield dhe bashkëpunëtorët e saj po i japin misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Presidenti Begaj e vlerësoi besimin e Shteteve të Bashkuara tek Shqipëria dhe trajtimin e saj si aleate besnike dhe të qëndrueshme, si në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit, ashtu edhe në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor,
“Ndjehemi të nderuar e të vlerësuar kur Shtetet e Bashkuara e shikojnë Shqipërinë si një pikë të rëndësishme referimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Presidenti Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje për ndihmën e madhe që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike, ndihmë që ka kulmuar me reformën e thellë të sistemit dhe institucioneve të drejtësisë.
“Falë edhe mbështetjes së gjithanshme e domethënëse të Shteteve të Bashkuara, sot kemi një sistem të ri drejtësie, i cili po fillon të funksionojë dhe është vendimtar për procesin e integrimit evropian të vendit” – u shpreh ai.
Presidenti Begaj foli edhe për zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai e vlerësoi në mënyrë të veçantë angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e cilësoi kontribut shumë të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon.
Në këtë kuadër, ai e përshëndeti pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe rolin personal të Ambasadores Greenfield për rishikimin tërësor të rolit dhe statusit të UNMIK në Kosovë.
“Është shumë e rëndësishme që OKB të njohë progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës për ndërtimin e shtetit ligjor e demokratik, por edhe për kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, të pranuar tashmë nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të organizatës”, theksoi a.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje edhe për ndihmën e dhënë nga SHBA-ja për sanimin e pasojave të sulmeve kibernetike nga aktorë të lidhur me agjenci shtetërore iraniane. Duke iu referuar pasojave të këtyre sulmeve, si edhe masave të marra nga institucionet shqiptare, ai shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë gjithmonë në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm.
(r.m.)