Begaj: Sovraniteti i Kosovës mbetet i pacënueshëm, Shqipëria e mbështet fuqishëm vijimin e dialogut

Tiranë, 1 gusht 2022 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bisdeduar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me tensionet në pjesën veriore të Kosovës.

Zyra e Presidentit njofton se z.Begaj ka thënë se i ka ndjekur me shqetësim ngjarjet e fundit në Kosovë dhe e ka përshëndetur vendimin e autoriteteve të Kosovës për të shtyrë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë.

Ai ka theksuar se ky vendim “shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë, pas agresionit rus në Ukrainë”.

Presidenti Begaj ka theksuar se “Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm”.

Ai ka thënë se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtarë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian,.

“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Presidenti Begaj, gjatë bisedës telefonike me Presidenten Osmani.

(r.m.)