Belerit i jepet leje të marrë pjesë fizikisht në betimin e tij si eurodeputet në Strasburg

Tiranë, 13 korrik 2024 – Drejtoria e Burgjeve e ka miratuar kërkesën e Fredi Belerit që të udhëtojë në Strasburg për të marrë pjesë fizikisht në ceremoninë e betimit si eurodeputet në Parlamentin Evropian.

Mësohet se Belerit, i cili gjendet në buajtje të dënimit me burg, i është dhënë leje pesë ditë, duke nisur nga dita e hënë, më 15 korrik, në orën 10:00. Mediet në Tiranë raportojnë se Drejtoria e Burgjeve i ka marrë të gjitha masat për shoqërimin e Belerit jashtë vendit për pesë ditët e përfshira në leje.

Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e partisë greke, Demokracia e Re, që është pjesë e grupimit të partive popullore (EPP) në Parlamentin Europian.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie, me akuzën e korrupsionit zgjedhor, vepër kjo e kryer në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës.

Ndonëse u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, ai doli fitues në këto zgjedhje, por atij nuk iu lejua ta japë betimin si kryebashkiak para Këshillit Bashkiak, siç është e përcaktuar me ligj. Rrjedhimisht, ai e humbi të drejtën e ushtrimit të funksionit të kryebashkiakut.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Bashkisë së Himarës janë caktuar të mbahen më 4 gusht.

(r.m.)