Alon Ben-Meir, profesor pranë Qendrës për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen të kujdesshme ndaj niciativës së presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ditë më parë tha se së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, do të angazhohet që të sigurojë njohje të reja për Kosovën.
Ben-Meir thotë se është në rregull që Kosova të ketë raporte të mira me Turqinë, por thekson se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së këtij shteti dhe agjendës islamike të Erdoganit.
Profesori Ben-Meir, në këtë intervistë, flet edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk është shumë optimist se ky dialog mund të përfundojë shpejt me marrëveshje finale.
Ben-Meir është ekspert për çështje të Lindjes së Mesme, për negociata ndërkombëtare dhe për zgjidhjen e konflikteve. Një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij ai është marrë me konfliktin izraelito-palestinez.
Intervista e plotë:
Radio Evropa e Lirë: Janë bërë 13 vjet prej se Kosova shpalli pavarësinë. Po ashtu më 22 korrik janë bërë 11 vjet prej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Por, përkundër kësaj Kosova vazhdon të jetë e pafuqishme në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Mungojnë njohje si nuk është e anëtarësuar në organizatat kryesor e ndërkombëtare. Pse e kemi këtë situatë?
Alon Ben-Meir: Problemi kryesor është se ne nuk kemi pasur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu që ne kemi stagnuar në OKB dhe ky është problemi kryesor. Problemi i dytë është fakti se që Serbia dhe Kosova ende nuk i kanë normalizuar raportet, pra Kosovës i duhet njohja e Serbisë, si dhe anasjelltas. Pa njohjen e Serbisë është duke u bërë më e vështirë edhe për Bashkimin Evropian që të provojë që ta integrojë Kosovën.
Derisa OKB-ja nuk e njeh Kosovën dhe përderisa Serbia vazhdon të mohojë pavarësinë e Kosovës do të marrë kohë që shtete të reja të njohin Kosovën. Por, një gjë dua them, se pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, po ashtu SHBA-ja si dhe shtete të tjera të rëndësishme, e kanë njohur Kosovën. Pra duhet ta kujtojmë faktin se janë mbi 100 shtete dhe janë disa nga shtetet më të rëndësishme në botë.
Radio Evropa e Lirë: Pesë shtete të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, por mungojnë njohje edhe nga shtete të tjera të rëndësishme. Çka duhet të bëjë Kosova që të sigurojë njohje të reja dhe që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare?
Alon Ben-Meir: Të jesh pjesë e organizatave ndërkombëtare sigurisht se është e rëndësishme, por ne gjithashtu duhet të dimë se Kosova ka një qeveri e cila duhet të fokusohet në zhvillimin e shtetit, zhvillimin ekonomik, reforma politike, luftimin e korrupsionit, pra të gjitha këto. Kjo mund të ndihmojë Kosovën duke dërguar një mesazh te komuniteti ndërkombëtar se ne nuk jemi të pavarur vetëm nga definicioni, por shikoni se çfarë kemi arritur brenda vendit. Kosova duhet të forcojë pozicionin e saj nga brenda, në çdo mënyrë. Kështu do të marrë më shumë vëmendje dhe më shumë njohje nga komuniteti ndërkombëtar.
Radio Evropa e Lirë: Para pak ditësh presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se do të fillojë një iniciativë që së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, të sigurojnë njohje të reja për Kosovën. Pse beson se erdhi deri te kjo iniciativë dhe pse pikërisht tani?
Alon Ben-Meir: Çdokush që e mbështet apo që bën fushatë për t’i shtyrë shtetet e tjera që të njohin Kosovën, është i mirëseardhur. Por, sido që të jetë, unë kam dyshime serioze sa i takon synimeve të (Recep Tayyip) Erdogan dhe Turqisë. Presidenti Erdogan është një narcizist, egocentrik, nacionalist islamik dhe ndoshta çfarë dëshiron të bëjë është që të promovojë agjendën e tij dhe krejt çfarë mund t’i them popullit të Kosovës është se është shumë në rregull të kesh raporte të mira me Turqinë, por Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së Erdoganit si dhe agjendës së tij islamike. Ky do të ishte gabim. Kjo është ajo që Turqia po bën sot, duke u përpjekur të tregojë që e mbështetë Kosovën, por në të njëjtën kohë Erdogani dëshiron të marrë diçka nga Kosova. Këtu i këshillojë njerëzit që të jenë të kujdesshëm sesa mund t’i besohet Erdoganit. Erdogan të lobojë te Rusia për njohjen e Kosovës
Radio Evropa e Lirë: A është kjo një çështje me prioritet për SHBA-në dhe në të vërtetë, a mund të punojë SHBA-ja me Turqinë në sigurimin e njohjeve për Kosovën?
Alon Ben-Meir: Nëse Recep Tayyip Erdogan do të dëshironte që më shumë shtete ta njohin Kosovën, ai do të duhej që të përdorte raportet e tij të tërthorta dhe të bisedonte me Rusinë sepse Rusia është kundër faktit që Serbia ta njohë Kosovën. Pra, ai do të mund të përdorte këtë anë të tij, si një mik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të kërkojë nga Serbia që ta njohë Kosovën. Ky do të duhej të ishte angazhimi i tij përpara se të mundohet që t’i bindë disa shtete që të njohin Kosovën. Këtu esenciale është njohja nga OKB-ja dhe njohja nga Serbia, dhe ky duhet të jetë fokusi. Çdo ndihmë që vjen nga kushdo është e mirëseardhur, edhe pse unë kam dyshime dhe jam dyshues sa i takon qëllimeve personale të Erdoganit dhe se çfarë në të vërtetë dëshiron të promovojë.
Radio Evropa e Lirë: Në të kaluarën kemi parë raporte të tensionuara në mes të SHBA-së dhe Turqisë, por kanë qenë lidhjet personale mes ish-presidentit Donald Trump dhe presidentit, Recep Tayyip Erdogan që kanë mbajtur larg tensionet. Tani me presidentin Biden në detyrë dhe problemet globale që kërkojnë zgjidhje më të shpejt, a mund të shihet iniciativa e presidentit turk si një përpjekje për t’u afruar me administratën Biden apo mund të qëndrojë diçka tjetër pas kësaj?
Alon Ben-Meir: Deri në një masë mund të themi se është kështu. Administrata Biden është shumë, shumë mbështetëse e Kosovës, e dimë këtë, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sikur Erdogan do të dëshironte të tregojë se edhe ai e mbështetë Kosovën dhe se në këtë apo në një mënyrë tjetër dëshiron të punojë së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, nuk do të kishte gjë të keqe këtu. Por, ajo që dua të ju them është se Erdogani gjithmonë ka agjendat e tij politike dhe ai nuk bën asgjë që t’i ndihmojë Kosovës apo ndonjë shteti tjetër, përderisa kjo nuk i ndihmon vetes së tij apo Turqisë. Kështu që çdo qeveri e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme me Turqinë pasi atij (Erdoganit) nuk mund t’i besohet.
Radio Evropa e Lirë: Kosova prej vitesh po përballet me një fushatë të Serbisë që kërkon tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Në anën tjetër e dimë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka krijuar raporte shumë të mira me Serbinë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Mund të ketë tensionim raportesh?
Alon Ben-Meir: Nëse Erdogan dëshiron të ndihmojë Kosovën ai duhet të ndërmjetësojë, ai definitivisht është në një pozitë që të ndërmjetësojë sinqerisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse dëshiron, kuptohet. Por, ai dëshiron të përfitojë gjithmonë diçka. Unë nuk po them se ai mund të bindë Serbinë që të njohë Kosovën, por ai mund të luajë një rol mbështetës. Kjo do të duhej të ishte çështja në të cilën ai do të duhej të fokusohej në vend që të përpiqet që të takohet me presidentin Biden dhe që ta bëjë të duket si gjë e madhe fushatën për njohje të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Siç e dini, në shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në Uashington për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje po komentohet ndryshe në Kosovë e ndryshe në Serbi. Duket se asnjëra palë nuk dëshiron ta zbatojë. Çfarë duhet të ndodhë me zotimet që palët i kanë dhënë duke nënshkruar dokumentin në Shtëpinë e Bardhë?
Alon Ben-Meir: E gjithë ajo shfaqje që ish-presidenti, Donld Trump dëshironte ta kishte nuk ishte për Kosovën apo për Serbinë, ishte vetëm për vetveten e tij. Ai bëri atë vetëm se dëshironte të tregonte se është një lider dhe se mund të arrijë paqe në mes armiqsh dhe gjëra të tilla. Por, nëse e shihni me kujdes dokumentin e shihni se nuk ka asgjë të vlefshme.
Normalizimi “jo në llogari të pavarësisë së Kosovës”
Radio Evropa e Lirë: Serbia dhe Kosova vazhdojnë të mos pajtohen për një marrëveshje përfundimtare për paqe. Dialogu në Bruksel po vazhdon, por pa rezultat. A mendoni se është koha për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare?
Alon Ben-Meir: Nuk mund të them se do të ndodhë shumë shpejt, për një, dy apo tre vjet me shumë gjasë nuk do të ndodhë. Por, është më rëndësi që për të shtyrë përpara këtë proces të bëhet një lloj presioni mbi Serbinë. Për shembull komuniteti ndërkombëtar do të mund të punonte më shumë me Kosovën, më shumë sesa që janë duke punuar tani, që të ndihmojnë Kosovën që ta pastrojë shtëpinë e saj, që të ndihmojnë në zhvillim ekonomik, zhvillim institucional dhe zhvillim të demokracisë. Këtë do të duhej bërë në mënyrë që ta ofrojnë më shumë me kulturën dhe vlerat evropiane, në mënyrë që të jetë e gatshme për integrim në një pikë të caktuar.
Kjo qasje e BE-së me Kosovën mund të vendosë presion indirekt mbi Serbinë dhe Serbia do të shohë se Kosova është duke u ofruar çdo ditë e më shumë me BE-në. BE-ja po ashtu nuk duhet të ndalet kurrë duke adresuar një pikë: çdo çështje është e rëndësishme në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe është i mirëpritur çfarëdolloj normalizimi, por nuk mund të jetë në llogari të pavarësisë së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: A besoni se presidenti amerikan, Joe Biden do të përfshihet më shumë në gjetjen e një kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë, kur e dimë faktin se ai ka një raport pak më personal me shtetin e Kosovës?
Alon Ben-Meir: Sinqerisht më duhet të ju them se unë kam qenë i përfshirë në konfliktin izraelito-palestinez për tri dekada dhe tani njerëzit me pyesin se cila është perspektiva dhe unë them se duhet një proces i pajtimit.
Kjo i nevojitet Kosovës dhe Serbisë, proces pajtimi. Serbia duhet t’i pranojë para botës krimet që i ka kryer ndaj kosovarëve. Kjo është fundamentale. Nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh kur ke këtë të kaluar historike e cila nuk është adresuar plotësisht. Mendoj se është shumë kritike për SHBA-në dhe BE-në që të vendosin këtë lloj presioni mbi Serbinë që të ballafaqohet me realitetin, të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Kjo është tepër me rëndësi në procesin e pajtimit sepse ndryshe pavarësisht sesa ke shkëmbime tregtare e kulturore e të tjera, përderisa ajo tragjedi historike nuk është adresuar, do të ketë gjithmonë njerëz që do të rezistojnë normalizimin e plotë të raporteve në mes të të dyja vendeve.
Radio Evropa e Lirë: Kemi dëgjuar zëra këtu në Prishtinë që thonë se për të arritur një marrëveshje finale është i nevojshëm një i dërguar special i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi. A mendoni se kështu mund t’i jepet një shtytje dialogut?
Alon Ben-Meir: Mendoj se për aq gjatë se SHBA-ja është një fuqi dhe partner i rëndësishëm në hemisferën perëndimore, SHBA-ja, sidomos tani e përfaqësuar nga presidenti, Joe Biden që krahasuar me ish-presidentin, Donald Trump, çfarë mund të them?! Presidenti Biden është një njeri fisnik që mund dhe do të bëjë shumë gjëra të mira. Pra të kemi një përfaqësues të tij në këtë dialog, gjithmonë është një ndihmë. Është mirë të kemi një përfaqësues të tillë dhe me sa kam informacione, do të emërohet një i tillë.
(Shkëlqim Hysenaj, REL)