Beogradi reagon ashpër ndaj qëndrimit të Gjermanisë ndaj aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Beograd, 14 maj 2022 – “Gjermania e njeh shtetin e Kosovës dhe natyrisht që ne vërtetë duam që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve, dhe ne jemi për këtë aplikim [në Këshillin e Evropës], madje e kemi mbështetur dhe po ashtu ne do të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë për të ndihmuar në këtë proces dhe të jemi koordinator së bashku me ju”, tha të premten, në Prishtinë, Manuel Sarrazin, pas takimit me ministren e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Kjo deklaratë e të dërguarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të cilën ai vetë e ka shpëndarë në Twitter, ka nxitur reagim të ashpër në Serbi.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, i ka cilësuar si “hipokrizi” dhe “ofenduese” për Serbinë këto deklarata të Sarrazin.

“Të thuash në Prishtinë se e ashtuquajtura Kosovë duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës dhe në Beograd të flasësh për perspektivën evropiane të Serbisë është hipokrizi, por edhe ofenduese”, ka thënë Vulin.

Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të “ulet në dy karrige” – të kërkojë që Serbia të adoptojë politikën e saj me politikën e Brukselit dhe të mbështesë Kosovën.

“Shpesh Bashkimi Evropian e paralajmëron Serbinë se ‘nuk mund të ulet në dy karrige’. Pra,  le të lejojmë që ata ta praktikojnë këtë për vete. BE-ja nuk mund të ulet në dy karrige dhe të kërkojë që Serbia të përafrojë politikën e saj me bllokun dhe, në të njëjtën kohë, të mbështesë Prishtinën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë Vulin.

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, e kanë mirëpritur aplikimin e Kosovës që të bëhet anëtare e kësaj organizate.

Rohde ka thënë se Kosova i përket Këshillit të Evropës, ndërkaq, Abbott ka thënë se aplikimi i Kosovës është sinjal se Kosova është e përkushtuar për demokraci, sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

(r.m.)