Berisha bën kallëzim për gjykatësen e çështjes së ish kompleksit sportiv “Partizani”

Tiranë, 24 tetor 2023 – Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nisi sot shqyrtimin e masave të sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë vendit” për ish kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, të marra në kuadër të hetimit mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë. Berisha i konsideron këto masa si antikushtetuese, pasi, sipas tij, prokuroria do të duhej të kërkonte më parë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë, prandaj ai bëri kallëzim penal për gjyqtaren e çështjes, Irena Gjoka, dhe kërkoi përjashtimin e saj.

Kallëzimin penal ndaj gjyqtares Gjoka e bënë avokatët e z. Berisha.

“Sot është bërë kallzim në SPAK ndaj gjyqtares së cështjes për veprën penale ‘shpërdorim i detyrës’, pasi vendimi është në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit procedurial penal. Mbi këtë bazë ne kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka, dhe kemi depozituar kërkesën”, deklaroi avokati Genc Gjokutaj.

Ndërkohë, ish-kryeministri Berisha përsëriti se masat e sigurisë ndaj tij janë caktuar në kundërshtim me Kushtetutën, prandaj ai nuk iu përgjigj thirrjes për seancë dëgjimore.

“Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit”, tha ai në konferencë për medie.

Rama i referohet nenit 73 pika 2 të Kushtetutës ku përcaktohet që kufizimi i lirisë së deputetit në çdo lloj forme bëhet me autorizim të Kuvendit. Por neni 73, e kushtëzon këtë në rastin e heqjes së lirisë, pa e përmendur termin kufizim të lirisë.

Ish kryeministri Sali Berisha dyshohet për veprën penale “korrupsion pasiv” për procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berisha e ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili ishte njëri ndër ish pronarët e tokës, përmes ndryshimeve ligjore apo vënies së institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të tij.

Zoti Berisha i ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë së Posaçme. Ai ka thënë se çështja është ngritur përmes gënjeshtrave dhe manipulimeve, të cilat, sipas tij, kanë një sfond të pastër politik.

Të martën, Gjykata e Apelit konfirmoi masat e sigurisë për Jamarbër Malltezin dhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Ndaj Malltezit u vendos masa e sekuestros të pasurive të tij të paluajtshme dhe të llogarive bankare. Sipas këtij vendimi, autoritetet sekuestruan të martën vilën e tij në zonën bregdetare të Lalzit, ndërsa sot vijoi bllokimi i disa dyqaneve dhe apartamenteve të tij në Tiranë.

(r.m.)