Tiranë, 30 tetor 2023 – Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e dërgoi sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë, e cila konfirmoi masat e sigurisë ndaj tij “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë vendit”.
Njoftimin për ankimimin e bëri avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili foli me nota kritike ndaj Gjykatës e cila siç tha ai “nuk ka depozituar ende vendimin. Kjo është një shkelje akoma më e madhe, një shkelje flagrante, në përpjekje që të humbasim afatet e ankimimit. Sepse për masat e sigurisë kanë aplikuar një praktikë antiligjore, prandaj duan të në heqin mundësinë për një ankim me argumenta. Sigurisht ne e kemi dorëzuar dhe kemi dhënë shkakun se pse ky ankim është i paplotësuar sa i përket seancës së verifikimit të ekzekutimit të masës”, u shpreh zoti Gjokutaj.
Zoti Berisha ka folur për një vendim të paligjshëm, duke i mëshuar idesë se Gjykata do të duhej të kishte kërkuar autorizim të parlamentit për masat e sigurisë ndaj tij, si deputet. Edhe për avokatin e tij Gjokutaj “vendimi është nul dhe nuk ka efekt”, për arsye të “moskonsiderimit të provës dhe rrethanave siç e kërkon ligji”.
Masat e sigurisë ndaj zotit Berisha, u dhanë më 21 tetor, në kuadër të hetimit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani. Ndaj ish kryeministrit nuk është ngritur akuzë, por ai dyshohet për “Korrupsion”.
Prokuroria ka arrestuar Jamarbër Malltezin, dhëndri i zotit Berisha, nën dyshimet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin si dhe “pastrim parash”. Nën hetim ka përfunduar dhe Fatmir Berktashi, ndërtuesi i kompleksit të pallateve që u ngrit mbi sipërfaqen e ish klubit sportive. Masat e sigurisë ndaj tij janë ato të “Detyrimit për paraqitje” dhe “Ndalim i udhëtimit jashtë vendit”.
Seanca për verifikimin e ekzekutimit të masës së sigurisë ndaj zotit Berisha kaloi përmes një kalvari të gjatë. Avokatët kërkuan fillimisht kohë për njohjen me aktet e dosjes hetimore. Më pas ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares, dhe braktisën seancën, pasi sipas tyre nuk mund të vijohej pa u shqyrtuar kërkesa e tyre, e cila u hodh poshtë dy ditë më vonë, ndërsa Gjykata u detyrua të caktonte kryesisht disa mbrojtës ligjorë për zotin Berisha.
Sipas vendimit, ish kryeministri duhet të paraqitet para një oficeri të policisë gjqësore, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Data 6 nëntor, është dita e parë, kur zoti Berisha do të duhet të bëjë paraqitjen e tij, ndërkohë që duhet të dorëzojë dhe pasaportën.
(Zëri i Amerikës)