Tiranë, 8 qershor 2023 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me draftin ee statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të hartuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Berisha, në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, e ka cilësuar këtë veprim të Ramës si “histeri antikombëtare”.
“Nuk do dilja sot, por u detyrova kur e pashë vasalin e Vuçiqit [Rama] në këtë histeri antikombëtare”, ka thënë ai.
Berisha ka thënë se draftstatuti i Asociacionit që e ka dorëzuar Rama është hartuar në Beograd, ndërsa është rishkruar në Tiranë.
“Sot, Edi Rama me detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Natyrisht, vetëkuptohet se teksti është shkruar në Beograd dhe pastaj rishkruar në Tiranë”, ka thënë Berisha.
Berisha e ka akuzuar Ramën se është vënë në shërbim të Vuçiqit dhe politikave të tij për krrijimin e Serbisë së Madhe.
“Argati i Vuçiçit, në detyrim ekstrem, shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, njeriut që me politikën e tij etno-nacionaliste, politikën e tij për Serbinë e Madhe, është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan dhe, pas Putinit të Madh edhe në Evropë, Aleksandër Vuçiq”, ka thënë Berisha.
Ai e ka cilësuar këtë veprim të Ramës si “ndërhyrje flagrante në punët e Kosovës” dhe si “aktin më të shëmtuar” në historinë e marrëdhënieve midis Kosovës e Shqipërisë.
“Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës në emër të Beogradit, përbën aktin më të shëmtuar në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin, përbën një akt kur Edi Rrama përpiqet të zgjidhë problemin e tij të tmerrshëm me McGonigal, për të cilin e ka vendin në burg në çdo drejtësi të botës. Përpiqet të sfumojë problemet e tmerrshme që ka krijuar me zgjedhjet në vendin e vet”, ka thënë Berisha.
Ai u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të procedojnë në bashkëpunim me KFOR-in, BE-në dhe SHBA-në për ta shtensionuar situatën në veri.
(r.m.)