Tiranë, 25 mars 2022 – Ish kryeministri i shqipërisë, Sali Berisha, dhe përkrahësit e tij hynë sot pasdite në selinë e Partisë Demokratike, në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës e njohu Kuvendin e thirrur prej tij më 11 dhjetor, si edhe vendimet e marra në këtë kuvend.
Përfaqësuesi ligjor i lëvizjes së zotit Berisha, Ivi Kaso, tha se, pas këtij vendimi, Komisioni i Rithemelimit të PD-së është i vetmi organ zyrtar që e përfaqëson edhe juridikisht Partinë Demokratike, pra edhe selinë e partië.
Enkelejd Alibeaj, i emëruar drejtues i përkohshëm i Partisë Demokratike pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, deklaroi se vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës është i pazbatueshëm dhe paralajmëroi se ky vendim do të ankimohet.
“Është një vendim ndaj të cilit ne do të ushtrojmë një ankim. Kushtetuta shqiptare, kodet e procedurës civile, Ligji për partitë politike, përcakton që ndaj një vendimi, pasi ai të zbardhet, madje edhe kur nuk zbardhet, brenda afatit 15 ditor, ke të drejte që të paraqesësh ankim. Ne do të paraqesim një ankim. Vendimi merr formë të prerë dhe është i ekzekutueshëm vetëm kur shqyrtohet nga një instancë finale, vetëm nga Gjykata e Apelit”, deklaroi ai pas marrjes së vendimit të gjykatës.
Por, pak më vonë, atij dhe sekretarit të përgjithshëm, Gazmend Bardhi, iu desh të uleshin e të bisedonin me zotin Berisha, në selinë e Partisë Demokratike.
Pas takimit, Berisha tha se, me gjithë dallimet midis tyre, të dy palët janë të preokupuara me procesin e bashkimit të PD-së.
“Në këtë diskutim kërkova angazhimin e tyre në procesin e bashkimit të PD-së, kontributin e tyre dhe të çdo demokrati. Mund të them se i gjeta të preokupuar me këtë proces, por, natyrisht, diferencat në mendime persistojnë. Ajo çka gjykoj unë është detyrim i të gjithë drejtuesve aktualë të dialogojnë, të debatojnë, të diskutojnë në grupin parlamentar të PD-së. Komisioni i Rithemelimit ka besim të plotë te grupi parlamentar i kësaj partie dhe mesazhi më i mirë që mund të përcjellin deputetët është normalizimi i plotë i jetës së këtij grupi, në interes të bashkimit të PD-së, por dhe në interes të vendit”, tha zoti Berisha, pas takimit.
Ai tha se Komisioni i Rithemelimit të PD-së do të vendoset, siç tha ai, “në selinë legjitime të përcaktuar nga statuti”.
(Sipas Zërit të Amerikës)
KrushK te pare,varrtret ne dasmen e varrezave.